Lajme

Varhelyi si Lajçak: Drafti i Ekipit Menaxhues, pikënisje për themelimin e Asociacionit


Oliver Varhelyi

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, ka thënë të martën se draft-propozimi i Ekipit Menaxhues, duhet të jetë pikënisje në diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Në debatin për Kosovën, të mbajtur të martën në Parlamentin Evropian, diplomati hungarez ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim që del nga marrëveshjet e pëparshme të dialogut Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Varhelyi para eurodeputetëve, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Varhelyi përsëriti fjalët e Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cili tha të hënën se draft-propozimi i paraqitur nga Ekipi Menaxhues, më 2 maj në Bruksel, “nuk ishte final”, porse shpalosja fillestare e tij “ishte pikënisje e rëndësishme” drejt themelimit të këtij mekanizmi.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të dielen, ka deklaruar se Ekipi Menaxhues – në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb: Danijela Vujiçiç, Jelena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç – e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij.

Ndryshe, diplomatët evropianë dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, po insistojnë se  krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Çka thuhet në Draft-Statutin për Asociacionin, të cilin e hartoi deputetja e Vuçiç-it?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore