Kosova

Çka thuhet në Draft-Statutin për Asociacionin, të cilin e hartoi deputetja e Vuçiç-it?


Mitrovica e Veriut

Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në të cilin “Radio Evropa e Lirë” siguroi qasje, përbehet nga gjithsej 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj. Ky draft është prezantuar të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Drafti, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues në përbërje me katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijela Vujiçiç (deputete e Kuvendit të Serbisë), Jelena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç, është prezantuar më 2 maj në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai parasheh dispozitat e përgjithshme si çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet e statutit, shpërbërja dhe dispozitat përfundimtare të këtij mekanizmi.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave” të të gjithë banorëve dhe komuniteteve që jetojnë në komunat që janë pjesë e këtij mekanizmi, thuhet në draftin e siguruar nga REL-i.

Qendra administrative e tij, bazuar në draft-statutin e prezantuar, është Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe. Komunat jothemeluese mund të anëtarësohen në këtë organ nëse kuvendi  – organi më i lartë – jep dritën e gjelbër. Çdo komunë do të kishte pesë përfaqësues.

Bordi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe – organi ekzekutiv – përbëhet prej shtatë anëtarësh dhe zgjedhet nga Kuvendi Themelues të cilit edhe i raporton. Ky instrument për komunitetin serb në Kosovë ka kryetarin e tij, të zgjedhur nga kuvendi, që i përfaqëson komunat.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, sipas draftit të prezantuar, duhet ta ketë edhe një organ këshillues. Gjithashtu, sipas REL-it, është paraparë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të ketë administratën e vet, e cila i raporton bordit. Ky mekanizëm do i t’i ketë simbolet, himnin, flamurin dhe stemën e vet.

Sëkëndejmi, ai do ta mbajë statusin e një entiteti juridik dhe do ta ketë të drejtën e padisë ose të paditet, të ketë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, bashkëpronarë që ofrojnë shërbime lokale, të lidhë kontrata, të propozojë ndryshime në ligje, si dhe të propozojë përfaqësues në institucionet kompetente të organeve qendrore.

Marrëdhëniet me institucionet qendrore të Kosovës apo qeverinë parashihet të jenë “të bazuara në parimet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të informacionit”, “duke promovuar interesat e komunitetit serb”.

Draft-statuti parasheh që ky mekanizëm “t’i menaxhojë dhe të bëjë mbikëqyrje të plotë mbi institucionet ekzistuese – themeluese e të cilave është Republika e Serbisë – në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, mbrojtjes shëndetësore, kujdesit social”.

Ndër kompetencat e përmendura në draft-statut thuhet se, përmes organeve të tij, do të miratojë vendime të kuvendit e rregullore, do ta mbikëqyrë zbatimin e ligjeve, do t’i rregullojë zgjedhjet, do të bëjë riorganizimin dhe funksionimin e organeve, agjencive, ndërmarrjeve publike, do të miratojë buxhetin dhe bilancin vjetor etj.

Tutje, ai parasheh që kuvendi mund të shpallë referendum me iniciativën e tij, për çështje brenda kompetencave të veta, ndërsa është i obliguar të shpallë referendum me kërkesë të 10 për qind të votuesve që banojnë në territorin e komuniteteve pjesëtare të këtij mekanizmi.

Ndryshe, diplomatët evropianë dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, po insistojnë se  krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Çka është Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe në Kroaci, modeli që propozoi Kurti në Bruksel?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore