Libra

Vargjet nuk u lanë në hije


Ja nisi vargjeve në letër.

Ishte mbërthyer nga ndjesi të forta dhe jua besojë ato fjalëve.

Sikur t’i përpinte letra, shkruante me vrull dhe pa u ndalur pasi kishte frikë se diç mund të harronte.

E kur në fund u çlirua, i shkreptiu mos t’i linte fjalët e rimuara në hije.

Ishte rioshe. Botimi i një vëllimi poetik i dukej i largët. E kështu, vendosi atypëraty t’i përhapte rreshtat e saj të vyer nëpër rrjete sociale.

 

Skenari i shkruar copëzash u thërrmua,
E dyshemenë e akullt ngrohtë përqafoi,
Çdo fjalë, çdo shkronjë dalëngadalë u shua,
E buzëqeshja e pikturuar bashkë me fillin shkoi.

 

Këto vargje, të rrëmbyera nga poezia e titulluar “Ëndërr”, shkruar nga një vajzë me një buzëqeshje gati-gati misterioze, tregojnë edhe më shumë për dëshirën e të shkruarit dhe të përkëdheljes së fjalëve.

Erta Banaj ka rrëfyer për Albanian Post se ideja e të qenit e pranishme në rrjetet sociale me një faqe dedikuar shkrimeve me në fokus poezinë, ka lindur pas publikimit të blog-ut të saj të quajtur wordsbyerta.com.

“Duke qenë pjesë e rrjeteve sociale, kaq shumë të ndjekura dhe të pëlqyera nga të rinjtë, promovimi i blog-ut bëhet më i thjeshtë, duke i ftuar lexuesit që fragmente më të zgjeruara, të cilat në një rrjet social nuk do të mund t’i lexonin dot të plota, t’i lexojnë direkt në blog. Gjithashtu, mendoj se faqe të tilla, dedikuar zhanreve të ndryshme të artit, si poezia, në rrjete sociale janë një mënyrë shumë e mirë për të kontribuuar në mirëpërdorimin e rrjeteve”, shprehet Banaj.

Poetja e re nuk e mohon as faktin se motivi thelbësor i pranisë në mënyrë digjitale është edhe njohja e lexuesit me shkrimet “duke shpresuar në formimin hap pas hapi të një audience të caktuar për librin tim që shpresoj të botohet shumë shpejt”.

“Përparësia kryesore është pa dyshim reagimi i menjëhershëm i audiencës dhe statistikat që arrin të gjenerosh nëpërmjet rrjeteve sociale për të kuptuar më qartë pëlqimin e lexuesve për secilin prej postimeve të bëra. Kështu, në njëfarë mënyre është më e thjeshtë përzgjedhja e postimeve të radhës për të përmbushur pritshmëritë e audiencës së krijuar, sado e vogël qoftë ajo”, tregon Banaj.

Mirëpo, si të duhej të kompensohej, prania digjitale numëron edhe pengesa. Sipas saj, një nga pengesat më të mëdha është krijimi i një brand-i, pasi nuk është e thjeshtë të gjenerosh ndjekës në mënyrë organike vetëm në sajë të publikimeve të bëra. Prandaj duhet ndjekur një strategji e mirëfilltë që pasqyron më së miri atë çfarë shkrimet përfaqësojnë.

“Nga ana tjetër, përshtatja me kërkesat dhe pëlqimet e lexuesit ndonjëherë mund të jetë paksa kufizuese, sepse duhet ruajtur një balancë mes pritshmërisë së lexuesit me autenticitetin e poezisë dhe stilit individual me të cilin nuk duhen bërë kurrsesi kompromise vetëm për hir të një suksesi të mundshëm online”, pohon Banaj.

Ajo shprehet se në fillimet e saj të të marrit të iniciativës, nuk kishte thuajse asnjë pritshmëri. Kjo sepse e konsideronte poezinë një formë arti tejet klasike dhe se nuk do të mundej të përshtatej me rrjetet sociale. Por, rezultatet e derimëtanishme për të kanë qenë surprizuese sepse lexuesit dhe adhuruesit e poezisë janë shtuar.

“Megjithatë, mënyra e paraqitjes së poezisë nëpër rrjete merr një kuptim tjetër, pasi pa dyshim që ana vizuale ka një rëndësi të veçantë. Shoqërimi i poezive me imazhe të caktuara dhe krijimi i një identiteti vizual përgjatë të gjithë faqes janë faktorë të cilët e shndërrojnë karakterin klasik të poezisë, në diçka më moderne ndaj së cilës priret të ketë qasje një audiencë më e gjerë”, thotë Banaj.

Edhe pse ka arritur të krijojë një bazë lexuesish të kahershëm, poetja e re nuk e mohon dëshirën për të trokitur në dyert e një shtëpie botuese. Madje, kjo ishte në planet e afërta, pasi përmbledhja e saj me poezi ishte gati për t’u formësuar si një libër.

“Kam përshtypjen se pengesa kryesore do të jetë fakti që jam një poete e re dhe nuk kam botime të mëparshme, gjë e cila pres të përkthehet në një stepje nga ana e shtëpive botuese, po unë jam e vendosur të tentoj disa herë dhe jam e bindur që do t’ia dal. Ku i dihet, mbase prezenca ime online në rrjetet sociale dhe blog-u im do të jenë një nxitës pozitiv për shtëpitë botuese”, përmbyll Banaj.

Medalja e pranisë

Një tjetër poeti të ri, Rei Hodo, i cili me qëndrimin e tij rrëfen për patundshmërinë e fjalëve nëpër rreshta.

Hodo rrëfen për Albanian Post se, në ditët e sotme, po përgatitet gjerësisht një shoqëri teknologjike, më pranë botës së kibernetikës.

“Si e tillë, publikimi jo vetëm i poezisë, por çdo momenti, materiali apo ngjarje në një rrjet social bën të mundur identifikimin e tij nga pjesa tjetër e shoqërisë”, thotë ai.

Hodo shprehet se, në një ambient të tillë, gjenden të dyja anët e medaljes.

“Kur flasim për përparësi sigurisht që theksi mund të vendoset te masivizimi i materialit, shpejtësia për të rënë në kontakt me të apo edhe thjeshtësia dhe panevojshmëria për të shpenzuar. Nga ana tjetër, pengesat janë të një natyre krejt tjetër. Thënë ndryshe, i përshtaten kritikës që gjithmonë është e nevojshme”, pohon poeti i ri.

Hodo tregon se, për të, rrjetet sociale janë një “megalomani idesh” në shumicën e tyre, duke bërë për vete një pjesë të mirë të shoqërisë dhe duke shfrytëzuar në maksimum thjeshtësinë si veçoria më e evidentueshme e tyre.

“Poezia është art, është frymë më vete dhe kësisoj krijon terrenin e saj, krijon lexuesin, krijon ambientin ku frymon. Si e tillë e ka të lehtë të qaset ndaj rrjeteve sociale, duke u atribuuar këtyre të fundit veçoritë e saj”, tregon Hodo.

Duke zbuluar se ka mundur të ketë lexuesit e vet të krijimtarisë, poeti i ri rrëfen se, jo më larg se dy muaj, ka publikuar vëllimin e tij të parë me poezi të titulluar “Intimitete poetike”.

Por, ky rrugëtim nuk është pa pengesa.

“Natyra e pengesave që mund të hasen përgjithësisht i përket sferës ekonomike. Këtu nënkuptohet marrja përsipër e botimit të këtij libri, i cili tek autorët e rinj duhet të ketë nga pas edhe mbështetjen e institucioneve përkatëse. Autorët e rinj, përtej rrjeteve sociale, duhet të krijojnë identitetin e tyre artistik dhe letrar. Kjo kërkon një ndihmë sado modeste apo e vogël të jetë ajo”, përmbyll Hodo.

Nën ndjesinë e fjalës

Viktor Shyti është një tjetër poet i ri, i cili e do poezinë po aq sa edhe ndjesitë që përçon përmes saj.

“Poezia është frekuentuese ndjenjash, përçuese e denjë ndjesish, pasqyruese e shpirtit dhe si rrjedhojë, duhet të demonstruar në vendet ku njerëzit japin maksimumin e kohës së tyre, në rrjetet sociale”, shprehet ai.

Mirëpo, poeti i ri i shkon përkundër puqjes së poezisë me rrjetet sociale.

“Poezia s’do mund ti përshtatet dot rrjeteve sociale. Origjinaliteti i poezisë s’do mund të gjejë dot  vend nën falsitetin e rrjeteve sociale ku askush nuk është siç tregohet”, pohon Shyti.

Ai nuk i frikësohet botimit të një vëllimi poetik që do të mbante emrin e tij. Kjo sepse për të pengesa dhe përparësia më e madhe janë vetë ai.

“Besoj që jam gati të ndërmarr hapin e botimit të librit dhe nuk shoh asnjë pengesë për këtë hap përderisa kam vullnetin dhe pasionin, miq të moçëm në tryezën e mendjes sime”, përmbyll Shyti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore