Lajme

Vala e të nxehtit në Itali mund t’i çojë temperaturat afër rekordit evropian


Në Itali, temperaturat mund t’i afrohen thyerjes së një rekordi evropian këtë javë.

Kjo pasi një valë e fortë të nxehti ka përfshirë pjesën më të madhe të kontinentit.

Një anticiklon i quajtur Cerberus do të bëjë që temperaturat të kalojnë 40 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit deri të mërkurën, me ishujt e Siçilisë dhe Sardenjës që parashikohet të mbajnë peshën kryesore në 47-48 gradë.

Këtë vit, kjo është vala e parë e madhe e të nxehtit që prek Italinë dhe vjen pas një pranvere dhe fillimi të verës të shënuar nga stuhi dhe përmbytje.

Rekordi për temperaturën më të lartë në historinë evropiane u thye më 11 gusht 2021, kur u regjistrua një maksimum prej 48,8 gradë Celsius në Floridia, një qytet në provincën siçiliane të Sirakuzës.

Vapa pritet të zgjasë për rreth dy javë në pjesët qendrore dhe jugore të Italisë, ndërsa në veri do të ulet lehtë.

Emërtimi i anticiklonit me emrin Cerberus, përbindësh me tre koka që në mitologjinë greke që ruan portat e botës së krimit, nuk ishte rastësi, sipas meteorologut Stefano Rossi.

Cerberus shfaqet në Ferrin e Dantes, ku ruan rrethin e tretë të ferrit.

“Në mënyrë metaforike, tre kokat tregojnë tre zonat kryesore klimatike në të cilat do të ndahet Italia”, ka treguar Rossi.

Një valë e të nxehtit po përfshin gjithashtu Francën, Gjermaninë, Spanjën dhe Poloninë.

Në Spanjë, ku vala e dytë e të nxehtit të verës mund të sjellë temperatura deri në 44 gradë Celsius në disa pjesë jugore të vendit, Kryqi i Kuq u ka kërkuar njerëzve që të kenë kujdes të shtuar dhe të kontrollojnë ata që janë më të rrezikuar nga temperaturat e larta, siç janë fëmijët dhe të moshuarit.

Ai u bën thirrje njerëzve të mbajnë mend të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin kafeinën dhe alkoolin dhe të shikojnë për shenja të goditjes nga nxehtësia, të cilat mund të përfshijnë të vjella, konfuzion, lëkurë të nxehtë dhe të thatë dhe gjendje të fikëti.

Zyra shtetërore meteorologjike e Spanjës, Aemet, ka thënë se temperaturat të hënën mund të arrijnë në 38 gradë Celsius në shumë pjesë të gadishullit Iberik, duke u rritur në 40 gradë në zonat jugore dhe 44 gradë Celsius në të luginës së Guadalquivir.

Vala e të nxehtit, e cila do të zgjasë deri të mërkurën, mund të sjellë temperatura deri në 43 gradë Celsius në Mallorca dhe luginën Ebro të martën.

Vera e kaluar, më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Evropë, vlerësohet të ketë shkaktuar më shumë se 20 mijë vdekje.

Në Britaninë e Madhe, temperaturat kaluan 40 gradë Celsius për herë të parë.

Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po e bëjnë çdo valë të nxehti në botë më intensive dhe më të mundshme.

Sipas një raporti të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, valët e të nxehtit të vitit të kaluar në Evropë do të ishin praktikisht të pamundura pa ngrohjen globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore