Lajme

Vaksina Moderna rezulton me përmbajtje metali


Programi i vaksinës Moderna kundër coronavirus-it në Japoni është goditur nga një seri incidentesh të kontaminimit, ku 1.63 milion doza rezultuan që përmbanin grimca metali.

Përbërës të tjerë të mundshëm janë identifikuar në grupe të veçanta gjatë javës së kaluar, por deri më tani nuk janë raportuar lëndime si rezultat i atyre vaksinave.

Problemet vijnë ndërsa Japonia lufton me valën e saj të pestë dhe më të keqe të infeksioneve. Të martën, rastet e reja arritën në 25 mijë dhe pacientët e sëmurë rëndë ishin mbi 2 mijë – rekordet më të larta.

Zbulimi i materialeve ndotëse çoi në tërheqjen më 26 gusht të 1.63 milion dozave të vaksinës të prodhuara në Spanjë.

Më shumë se 500 mijë doza nga grupet e gabuara ishin administruar tashmë, tha Taro Kono, ministri përgjegjës për shpërdarjen e vaksinave, të premten e kaluar.

Të mërkurën, nga Moderna dhe shpërndarësi lokal “Takeda Pharmaceutical” u lëshua një deklaratë e përbashkët mbi infektimin, duke thënë se, “prania e rrallë e grimcave të çelikut ‘inoksin’ në vaksinën Moderna anti-COVID nuk paraqet një rrezik të panevojshëm për sigurinë e pacientit dhe nuk ndikon negativisht në profilin e përfitimit/rrezikut të produktit”.

Moderna po heton sesi grimcat hynë në uzinën prodhuese të operuar nga kontraktori i saj “Rovi Pharma”.

Kompanitë këmbëngulën që edhe nëse grimcat metalike do të injektoheshin te njerëzit, ato nuk do të shkaktonin asgjë më shumë sesa një reagim të lokalizuar.

Ekspertët shëndetësorë në Japoni kanë sugjeruar që nëse grimcat janë të dukshme me sy të lirë, ato janë shumë të mëdha për të kaluar nëpër një gjilpërë.

Ka pasur raste të tjera të kontaminimit të mundshëm. Më 28 gusht, përdorimi i vaksinës Moderna u pezullua përkohësisht në ishullin Okinawa pasi substancat e zeza dhe rozë u gjetën në shishe të ndryshme nga një grumbull i veçantë.

Ministrja e Shëndetësisë, Norihisa Tamura, më vonë tha se substancat ka të ngjarë të jenë pjesë të tapave të gomës në shishet që përmbanin substancën. E gjitha kjo sipas saj për shkak të gjilpërave të futura gabimisht.

Ndërsa më 29 gusht, punonjësit e shëndetit vunë re njolla të vogla të një substance të zezë në shishet e vogla të përmbajtjes së vaksinës në një qendër vaksinimi në Gunma, në veri të Tokyo-s. Vaksinimet rifilluan nga ato tufa, të cilat ishin të ndryshme nga ato të identifikuara më parë si të kontaminuara.

Nga ana tjetër më 2 shtator, grimca të zeza u gjetën në shishet e Moderna-s në Kanagawa, në jug të Tokyo-s, nga një farmacist që administronte doza atje. Substanca ende nuk është identifikuar.

Asnjë çështje nga dozat e Moderna-s të injektuara në Okinawa, Gunma ose Kanagwa nuk është raportuar deri më tani.

Në të njëjtën kohë, një hetim mbi vdekjen e dy burrave në të 30-at e tyre pa probleme të njohura shëndetësore të cilët vdiqën ditë pasi morën dozën e tyre të dytë nga grupet e kontaminuara në mes të gushtit, është duke vazhduar. Deri më tani, nuk ka asnjë lidhje se shkaktare e vdekjeve ka qenë implementimi i vaksinës.

Më shumë se 12.2 milionë doza Moderna janë administruar në Japoni, ku shumica e qendrave të vaksinave kanë përdorur dozën Pfizer.

Vaksina AstraZeneca, e cila është prodhuar në vend, u miratua kohët e fundit për shkak të shqetësimeve në lidhje me raportimet e mpiksjes së gjakut në vendet e tjera. Japonia dorëzoi miliona doza të prodhuara në vendet aziatike si pjesë e një programi ndërkombëtar.

Japonia duhej të merrte 50 milionë doza që kishte siguruar nga Moderna deri në fund të muajit. Nuk është e qartë se sa ndikim do të kenë çështjet e kontaminimit në atë plan.

Më shumë se 130 milionë doza vaksine janë administruar në Japoni dhe 46% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, me 57% që kanë marrë të paktën një dozë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore