Shqipëria

Vakanca në Kushtetuese, emrat e 5 kandidatëve për një post nga Gjykata e Lartë


Këtë të premte të 4 marsit, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë ka bërë shpalljen publike për plotësimin e vakancës së pjesshme në Gjykatën Kushtetuese, si rezultat i mbarimit të mandatit të Vitore Tushës.

Lëvizje kjo bazuar në nenin 125 pika 1 të Kushtetutës, si dhe nenin7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në datë 31.01.2022.

Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave, kandidatët që kanë paraqitur interes për plotësimin e vakancës janë Brunilda Kadi, Elsa Miha, Holta Zaçaj, Juliana Latifi dhe Sandër Beci.

Bazuar në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, lista e kandidatëve, si dhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre i janë dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Këshilli pritet të vlerësojë kushtet dhe kriteret e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore