Sport

Uzuni, arma më e fortë e Granada-s për t’u rikthyer në La Liga


Katër gola në tre ndeshjet e para e bëjnë sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzunin, si golashënuesin më i mirë i kategorisë së dytë të futbollit spanjoll, La Liga 2.

Sulmuesi nga Berati shënoi tre gola në ndeshjen e fundit që ekipi i tij, Granada, e fitoi me rezultat 3:0 ndaj Villarreal B.

Uzuni u bë pjesë e ekipit spanjoll vetëm në muajin janar, por nuk mundi që ta jap kontributin e mjaftueshëm për ta mbajtur në ligë Granada-n.

Megjithatë, muajt e parë i kanë shërbyer 27-vjeçarit dhe për t’u përshtatur me skuadrën e tani duket gati për ta ndihmuar ekipin që të rikthehet sërish në La Liga.

Në takimin ndaj Villarreal 2, Uzuni ishte lojtari më i mirë në fushën e lojës, duke sinjalizuar se do të jetë lideri i skuadrës, edhe pse në ekip ka emra të njohur si ish-lojtari i Real Madrd-it dhe Napolit, Jose Maria Callejon.

Lojtari i Kombëtares së Shqipërisë goditi dhe dy 11-metërsha, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë në të dyja situatat, një tregues i besimit që kanë tek 27-vjeçari.

Uzuni dhe Callejon do të jenë dy pikat kyçe të Garnada-s, që e ka besuar misionin mbijetesë, tek këta dy lojtarë, që kanë detyrën për të tërhequr skuadrën drejt elitës.

Uzuni është lojtari më në formë i momentit sa i takon Granada-s, diçka pozitive dhe për trajnerin e Edoardo Reja, i cili pritet që ta ftojë për ndeshjet e muajit shtator në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës.

Me fanellën kuqezi, Uzuni deri më tani numëron katër gola, dy në ndeshjet miqësore dhe dy në kualifikueset e Kupës së Botës për Katar 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore