Lajme

Ushtria izraelite vret një grua palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar


Ushtria izraelite ka qëlluar për vdekje një grua 19-vjeçare palestineze në qytetin Beitunia pranë Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se viktima, Sanaa al-Tal, u qëllua në kokë nga forcat izraelite në agimin e së hënës gjatë një bastisjeje në Beitunia.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve “Wafa”, një tjetër palestinez, 26-vjeçari Anas Hassouneh, u plagos dhe u arrestua.

Al-Tal, e cila u qëllua ndërsa ishte në një makinë, vjen nga qyteti al-Thahiriyeh në jug të qytetit Hebron në Bregun Perëndimor të pushtuar jugor.

Lajmet dhe imazhet e incidentit qarkulluan nga mediat lokale në orën 4 të mëngjesit dhe vrasja e saj u konfirmua disa orë më vonë.

Një dëshmitar i tha Wafa-s se al-Tal dhe Hassouneh ishin në një automjet që po lëvizte në një rrugë, të pavetëdijshëm që forcat izraelite ishin vendosur në disa pika derisa u befasuan nga prania e ushtrisë.

“Kur ata u përpoqën të ktheheshin, gjetën ushtarë të tjerë përballë tyre, të cilët filluan të qëllonin mbi ta pa asnjë njoftim”, tha dëshmitari, i cili jeton në zonë, duke shtuar se vetura u qëllua tre herë nga ushtarët e vendosur në kënde të ndryshme ndërsa përpiqej të largohej.

Dëshmitari shtoi se ushtarët izraelitë e nxorrën Hassouneh, i cili po ngiste makinën, nga automjeti dhe se ai ishte i gjakosur, ndërsa al-Tal vdiq në vendngjarje.

Një deklaratë e ushtrisë izraelite tha se ushtarët vunë re një “makinë të dyshimtë që po përshpejtohej drejt tyre gjatë një operacioni nga forcat e sigurisë”, sipas mediave izraelite. Forcat kanë bërë sinjalizim që mjeti të ndalojë, por ai ka nxituar drejt tyre dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të mjetit, thuhet në njoftim.

Videoja e vëzhgimit e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale dukej se tregonte makinën duke u tërhequr ngadalë në zonë përpara se të qëllohej nga ushtarët e vendosur aty pranë.

Diaa Qurt, kreu i komunës Beitunia, i tha “Al Jazeera” se ushtria izraelite kishte bastisur qytetin, i cili shtrihet në perëndim të Ramallah, për të kryer arrestime, gjatë të cilave shpërthyen konfrontimet.

Ushtria izraelite, tha Qurt, ia dorëzoi trupin e gruas mjekëve palestinezë, të cilët e transferuan atë në spitalin publik të Ramallah.

Ai vuri në dukje se ushtria kishte arrestuar tre burra palestinezë nga Beitunia dje mbrëma.

Ministria e Punëve të Jashtme palestineze të hënën bëri thirrje për “masa ndërkombëtare për të detyruar shtetin pushtues të ndalojë agresionin e tij kundër popullit tonë”, në përgjigje të vrasjes.

Aty thuhet se “viktima e fundit e këtij agresioni ishte vajza e cila u martirizua mëngjesin e sotëm në Beitunia”.

Forcat izraelite kryejnë bastisje dhe arrestime në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar pothuajse çdo ditë, si pjesë e një përpjekjeje për të goditur grupet e armatosura që veprojnë në territorin palestinez.

Ushtria qëllon rregullisht me municion të vërtetë gjatë bastisjeve të tilla, shpesh duke çuar në vrasjen ose plagosjen e banorëve, duke përfshirë individë të pa përfshirë.

Deri më tani në vitin 2022, ushtria izraelite ka vrarë 197 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Rripin e Gazës të rrethuar, duke përfshirë 43 fëmijë. Sipas Kombeve të Bashkuara, numri i palestinezëve të vrarë nga Izraeli në Bregun Perëndimor të pushtuar këtë vit është më i larti që ka qenë në 16 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore