Lajme

Universiteti amerikan paguan 250 milionë dollarë mbi abuzimet seksuale të një mjeku


Afro 250 milionë dollarë dëmshpërblim duhet të paguajë Universiteti i Kalifornisë për 200 gra, të cilat pretendojnë se janë sulmuar seksualisht nga një gjinekolog në kampus.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se gratë e kanë akuzuar faqen e universiteti të Los Angeles-it (UCLA) për fshehjen e qëllimshme të abuzimit seksual të pretenduar të James Heaps ndaj pacientëve.

Ky i fundit shërbente në qendrën shëndetësore të studentëve të UCLA-s, gjatë karrierës së tij 35-vjeçare, midis viteve 1983 dhe 2018.

Deri në vitin 2017, universiteti nuk e nisi hetimin e ankesave kundër Heaps. Ai është akuzuar në qindra procese gjyqësore për fshehje të qëllimshme të abuzimit seksual të dyshuar të pacientëve nga gjinekologu.

Ndërsa në vitin 2019, licenca e tij mjekësore u pezullua nga një gjyqtar për kohëzgjatjen e rastit të abuzimit seksual.

Heaps përballet me 21 akuza penale për abuzim seksual ndaj shtatë grave.

“Sjellja që pretendohet se është kryer nga Heaps është e dënueshme dhe në kundërshtim me vlerat e universitetit”, ka deklaruar UCLA.

“Detyrimi ynë i parë dhe më i lartë do të jetë gjithmonë ndaj komuniteteve që u shërbejmë dhe shpresojmë që kjo zgjidhje të jetë një hap drejt shërimit për paditësit e përfshirë”, ka vijuar deklarata.

Kara Cagle, një nga të mbijetuarat, ka thënë se “zemra ime mbetet e thyer për të gjitha gratë që nuk u kursyen, të gjitha gratë që vuajtën pas meje, sepse UCLA refuzoi të veprojë”.

Sipas avokatëve të çështjes, ai dikur ishte mjeku më i paguar në të gjithë sistemin e Universitetit të Kalifornisë.

John C Manley, një avokat që përfaqëson një nga gratë që ka ngritur padi penale kundër Heaps, ka pretenduar se ai ishte një grabitqar i sofistikuar që kryente abuzim nën maskën e ekzaminimeve normale mjekësore.

“Ai ishte një gjinekolog i certifikuar nga bordi dhe një onkolog i certifikuar nga bordi. Shumica e grave ishin atje sepse kishin kancer ose mendonin se kishin kancer”, ka treguar Manley.

Paditë nxjerrin se ai nuk ishte hetuar siç duhet derisa universiteti mori një ankesë në vitin 2017 dhe ai u lejua të vazhdonte të shihte pacientë gjatë hetimit për veprimet e tij.

Madje edhe pasi universiteti i ka thënë se kontrata e tij nuk do të rinovohej.

Rasti pason një seri marrëveshjesh të mëdha me universitetet amerikane mbi abuzimin e pacientëve nga mjekët e kampusit.

Muajin e kaluar, Universiteti i Michigan-it arriti një marrëveshje prej 490 milionë dollarësh me më shumë se një mijë njerëz që pretendojnë se janë abuzuar nga një mjek.

Ndërkohë, tre gra po padisin një tjetër kolegj prestigjioz të Amerikës, Harvard, me arsyetimin se ka injoruar akuzat për ngacmim seksual.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore