Lajme

Unicef: Shumica e foshnjave, në 91 vende të botës, janë të kequshqyera


Në shumë vende në zhvillim, veç një e treta e fëmijëve nën dy vjeç ushqehen me atë që u nevojitet për rritje të shëndetshme dhe gjatë dekadës së fundit asnjë përparim nuk është bërë në përmirësimin e ushqyerjes së tyre.

Kështu ka bërë me dije një raport i botuar nga agjencia e OKB-së për fëmijët, Unicef, duke dalluar se një kombinim i krizave të COVID-19 dhe ndryshimeve të klimës kishte penguar përparimin në ushqyerjen e fëmijëve në 91 vende.

Agjencia e lajmeve “The Guardian” tregon se raporti nxjerr që gjysma e fëmijëve të moshës nga gjashtë deri në 23 muaj në një sërë vendesh në zhvillim nuk ushqeheshin me numrin minimal të vakteve ditore dhe, madje, më pak kishin një dietë të larmishme që plotësonte kërkesat minimale.

Unicef-i i Mbretërisë së Bashkuar ka rekomanduar përpara samitit të OKB-së për sigurinë ushqimore se qeveria britanike mund të ndihmojë në trajtimin e problemit duke investuar në ushqim.

Nga dietat e dobëta, fëmijët mund të mbeten prapa në shkollë, të bëhen më të prekshëm nga sëmundjet dhe të vuajnë nga efektet e kequshqyerjes, si dhe të bëhen mbipeshë ose obezë.

Jenny Vaughan, këshilltarja e lartë e Unicef-it ​​në Mbretërinë e Bashkuar për politikën mbi shëndetin e fëmijëve, ka treguar se “miliona fëmijë në të gjithë botën janë të prekur nga rezultatet kufizuese të jetës nga ushqyerja e dobët”.

“Duke investuar 600 milionë paund për të arritur 50 milionë fëmijë gjatë pesë viteve të ardhshme me programe të rëndësishme për ushqimin, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të japë një kontribut të rëndësishëm në adresimin e këtij problemi dhe do t’i vendosë miliona fëmijë në një rrugë drejt të ardhmes më të shëndetshme dhe më të ndritshme”, ka shtuar ajo.

Referuar raportit, ushqyerja ishte më e keqja për fëmijët në familjet rurale ose më të varfra dhe se ndryshonte bazuar nga rajoni.

Në Amerikën Latine dhe Karaibet, dietat e 62 për qind të fëmijëve të moshës gjashtë deri në 23 muajsh përmbushnin kërkesat minimale të diversitetit krahasuar me më pak se një të katërtën në Afrikë dhe vetëm 19 për qind në Azinë Jugore.

Gjithashtu shumë familje në vend e kanë blerë ushqimin e tyre që ta prodhojnë vetë, madje edhe në zonat rurale, gjë që i bëri ata më të varur nga sistemet ushqimore.

“Pavarësisht nga kjo analizë shumë shqetësuese, ende mund të arrihet përparim me veprime të përbashkëta globale për të ndërtuar, forcuar dhe transformuar sistemet ushqimore, në mënyrë që fëmijët të marrin ushqimin e nevojshëm për të mbijetuar dhe rritur”, ka thënë Vaughan.

Ajo ka veçuar se qeveritë duhej të siguroheshin që kishte sisteme të forta ushqimore që furnizonin me besueshmëri dieta ushqyese, duke përfshirë fruta, perime, mish, vezë, peshk dhe ushqime të pasura me vlera ushqyese.

Javën e kaluar, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) ka thënë se samiti i ushqimit po zhvillohej në një moment kyç, pas pesë vitesh që numri i të prekurve nga uria u rrit në nivel global në rreth 811 milionë njerëz, pas një periudhe në të cilën ra.

“Shumë nga praktikat aktuale agro-ushqimore po shkaktojnë gjithashtu një dëm të madh në planetin tonë. Sistemet tona agro-ushqimore nuk po funksionojnë siç duhet”, ka treguar drejtori i Përgjithshëm i FAO, Qu Dongyu.

Ai ka shtuar se çelësi ishte transformimi i sistemit që siguron ushqimin dhe se do të mbështetej në veprimet e ndërmarra në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore