Lajme

“Unë e di se si dhe pse e kam thënë” – Selmanaj nuk do që ta elabrojë më shumë krahasimin mes Demaçit e Aganit


Driton Selmanaj

Me një dilemë të tij të kamotshme ka vendosur ta sfidojë edhe publikun, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dritan Selmanaj.

Dilema është e shtruar në formë pyetje.

“Pse Adem Demaçi e Albin Kurti nuk patën problem të hapin zyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, derisa aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës si Fehmi Agani, u vranë?”.

Përgjigje s’i ka gjetur edhe pse i ka supozimet e veta.

“Janë paralele shumë interesante”, tha ai në Kanal 10, duket shtuar se si në fundin e viteve 90’ u lejua hapja e një zyreje politike të UÇK-së, të cilën serbët e njihnin si organizatë terroriste dhe në të njëjtën periudhë kohore u eliminuan nga serbët disa veprimtarë që i përkisnin LDK-së e cila ishte identifikuar si organizatë pacifiste.

Por, çfarë po provon të thotë Selmanaj, përtej deklarimit të tij ndërtuar mbi një dyshim?

“Atë çka kam pas të them, e kam thënë”, deklaron ai për Albanian Post, kur iu kërkua të zgjerohet në pohimin e tij.

“Unë e di pse dhe si e kam thënë. Dhe kam bindjen që gjithçka është e qartë se çfarë kam thënë. Mbeten në vlerësimet e njerëzve që ta kuptojnë atë çfarë kam thënë, normalisht duke pas parasysh edhe kohën dhe rrethanat e kohës para 23 vitesh”, ka përfunduar Selmanaj në komunikimin e shkurtër me Albanian Post.

Përkundër se Selmanaj e portretizon si të qartë deklarimin e tij, megjithatë shumë njerëz e kanë komentuar në paqartësi këtë pjesë të intervistës së tij në Kanal10.

“I analizoj nganjëherë rastet dhe them”, nisi shpjegimin Selmanaj, se si i tërhoqi këto paralele.

“UÇK për Serbinë ka qenë organizatë terroriste, për ne ushtria më e lavdishme çlirimtare. I gjithë shërbimi i Serbisë ka qenë në Kosovë. Si e la të hapet një zyrë në Prishtinë, një zyrë politike e një ‘organizate terroriste’, sipas tyre?”.

“Pse ka ndodhur kjo?”.

“Si ndodhi që profesori i ndjerë Fehmi Agani, i një lëvizje politike paqësore, të ekzekutohet?”.

“Si ndodhi që avokati Bajram Kelmendi të merret në shtëpi, bashkë me dy djemtë dhe të ekzekutohet? S’kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së në uniformë ata?”.

“Është shumë problematike kjo punë, por unë mendoj që koha më vonë do të sqarojë shumë gjëra, sepse kam përshtypjen që koha është shëruesi më i madh i këtyre çështjeve”, kishte përfunduar deputeti Selmanaj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore