Lajme

Ukrainë/ Kur presidenti zbret në fushëbetejë


Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, zbret në fushëbetejë, © CNN

I zhytur në baltën e zezë deri në kavilje, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lëviz me trupat e tij në llogoret dhe tunelet, të cilat formojnë vijën e parë të luftës në lindje të vendit të tij.

Ngjan më shumë si një skenë e fillim shekullit të XX-ë se sa një konflikt modern. Ushtarë të lodhur, nervozë, mbajnë në dorë pushkët ndërkohë që skanojnë gjithë zonën. Një zonë neutrale – no-mans-land.

Është një gjendje e qetë, e cila tek-tuk thyhet nga të shtëna sporadike që vijnë nga larg. Por ato, çojnë në majë të gishtave të gjithë.

Zona pranë Mariupol-it është e rrezikshme për t’u vizituar nga një president. Kjo, gjithsesi, nuk e ndalon Zelensky-n të shkojë aty.

Ai madje, i ka lejuar edhe reporterëve të CNN-it të ndjekin gjithë rrugëtimin e tij drejt vijës së parë.

Banorët rikthehen në tokat e tyre të shkatërruara nga lufta, Ukrainë, © CNN

“Nëse vizitoj një bazë ushtarake, ata që janë në krye të linjës do ta marrin këtë lajm dhe do të mendojnë se i kam harruar”, tha ai në komente ekskluzive për CNN-in. “Ata duhet ta dinë se kanë mbështetje politike, ndaj shkoj deri në linjën e parë”.

Zelensky është i mbërthyer me rroba ushtarake dhe ka vënë një helmetë. Ai duhet të shpejtojë me truprojat e tij drejt vendstrehimit të sigurt.

Me trupat ruse, të cilët ndodhen në anën tjetër të kufirit me Ukrainën, SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s kanë deklaruar mbështetje politike dhe ushtarake ndaj ukrainasve. Pikërisht Zelensky, ka qenë ai që i nxiti të tregonin mbështetjen.

Nxehja e re e gjakrave në konfliktin e vjetër

Për vite, konflikti brutal në Ukrainën lindore midis forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, ka ngecur në një lojë nervash.

Luftime të mëdha, të cilat kanë kushtuar mijëra jetë njerëzore që prej 2014-ës. Këto, janë në një gjendje shahu mat.

Aneksimi i Crimea-s nga Rusia në vitin 2014 solli luftime në rajonin e Donbas-it – një zonë tjetër rusisht folëse në Ukrainë. Rebelët aty, kërkojnë pavarësinë nga Kievi.

Por, në tensionet e rritura me SHBA-në dhe aleatët perëndimorë, forcat ruse janë parë të lëvizin në kufi. Kjo, ka shkaktuar tension për një luftë të radhës.

Kolumne të armatosura janë shfaqur në horizontin ukrainas. Tanke dhe artileri e rëndë janë transportuar aty.

Në Moskë, nga Kremlini deklarohet se lëvizjet janë brenda territorit rus. Ka një plan ushtarak aty dhe nuk përbën asnjë rrezik për ukrainasit.

“Sigurisht që e dimë”, thotë Zelensky. “E mësuam në vitin 2014 me Crimea-n. Mund të ndodhë nga çasti në çast”.

“Ata janë gati, por edhe ne jemi gati. Jemi në territorin tonë, në tokën tonë”.

Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, zbret në fushëbetejë, © CNN

Thirrje nga ai, është bërë edhe për SHBA-në. “Nëse ata na shohin si pjesë e NATO-s, duhet ta thonë hapur dhe ta vendosin. Jo më fjalë”.

Por, shanset për këtë janë të vogla. Mbi të gjitha, për faktin se një afrim i Ukrainës me NATO-n, mund të ngjajë si provokim ndaj Moskës. Madje, duke i hedhur edhe benzinë konfliktit ruso-ukrainas.

“Ndoshta keni të drejtë”, përgjigjet Zelensky. “Por, çfarë po ndodh këtu? Pse jemi këtu? Pse janë këtu njerëzit tanë? Ata po luftojnë”.

Në linjën e parë, Zelensky mbajti një minutë heshtje për të rënët.

Me ose pa NATO-n, ky është realiteti i këtij vendi. Ukraina, është në luftë.

Përshtatur nga CNN për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore