Lajme

Ukraina rrethon trupat ruse në qytetin lindor të Lyman-it


Ukraina ka rrethuar mijëra trupa ruse në qytetin lindor të Lyman, një bastion që është kritik për Moskën, në një operacion që është ende në proces.

Kështu deklaroi zëdhënësi ushtarak ukrainas, Serhii Cherevatyi.

Kapja e qytetit, të cilin Rusia e ka përdorur si një qendër logjistike dhe transporti për operacionet e saj në veri të rajonit të Donetskut, do të ishte një pengesë e re e madhe për planin e Kremlinit për të kapur të gjithë rajonin industrial të Donbasit.

“Grupimi rus në zonën e Lyman është i rrethuar”, tha ai gjatë një deklaratë për mediat.

Në media qarkullon një video që supozohet se tregon ushtarët ukrainas duke ngritur flamurin kombëtar të vendit në hyrje të qytetit, ku raportohet se janë të rrethuar mijëra trupa ruse.

Në pamjet – të postuara nga shefi i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak – dëgjohen dy ushtarë duke thënë në ukrainisht: Sot është]1 tetor. Ne po shpalosim flamurin tonë shtetëror dhe po e vendosim në tokën tonë.

“Lyman. Gjithçka do të jetë Ukraina”,  thonë ata, duke përshëndetur parashutistët ukrainas.

Ushtria e Ukrainës deri më tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se Lyman është rikapur.

Disa orë më parë, analistët ushtarakë amerikanë parashikuan se Ukraina ka të ngjarë të rimarrë qytetin kyç të pushtuar nga Rusia në lindje të vendit në tre ditët e ardhshme.

“Forcat ruse vazhduan të tërhiqen nga pozicionet rreth Lyman më 30 shtator, ndërsa forcat ukrainase vazhduan të mbështjellin trupat ruse në zonë”, tha Instituti për Studimin e Luftës, një institut me bazë në Washington, në vlerësimin e tij të fundit të luftës.

Zyrtarët ukrainas thanë të premten se trupat e tyre kanë kapur dy fshatra që ndodhen shumë afër Lyman, në shenjën më të qartë që qyteti mund të bjerë së shpejti.

Ukraina gjithashtu po bën fitime “rritëse” rreth Kupiansk dhe bregut lindor të lumit Oskil, i cili u bë një vijë kryesore e frontit që kur kundërofensiva ukrainase rifitoi kontrollin e rajonit të Kharkiv në shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore