Lajme

Ukraina po “përgatitet” që Rusia të pushtojë nga veriu, thotë komandanti


Një komandant ushtarak ukrainas ka thënë se Rusia mund të përpiqet të pushtojë nga veriu, potencialisht rreth përvjetorit kur Vladimir Putin urdhëroi për herë të parë trupat e tij të pushtonin Ukrainën.

Gjeneralmajor Andrii Kovalchuk paralajmëroi se luftimet më të ashpra mund të vijnë ende dhe u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të mbështesin Ukrainën me armë vdekjeprurëse, duke përfshirë municione të mundshme thërrmuese.

Në një intervistë me transmetuesin britanik “Sky News”, ai tha se mund të “parashikonte” që forcat ruse mund të përpiqen të pushtojnë Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu, ndoshta edhe më 24 shkurt – në përvjetorin kur trupat ruse pushtuan vendin.

“Ne parashikojmë opsione të tilla, skenarë të tillë. Ne po përgatitemi për të. Jetojmë me mendimin se do të sulmojnë sërish. Kjo është detyra jonë”, theksoi komandanti.

Ai u duk veçanërisht i fokusuar në mundësinë e pushtimit të trupave ruse nëpërmjet Bjellorusisë në kufirin verior të Ukrainës, me qëllim që të shënjestronin kryeqytetin.

Ukraina po “konsideronte një ofensivë të mundshme nga Bjellorusia në fund të shkurtit, ndoshta më vonë”, tha ai.

Kovalchuk shtoi se Kievi do të ishte më i përgatitur për të luftuar trupat e Putinit, duke shtuar se “nuk do të jetë më rasti që ata thjesht të hyjnë brenda, siç ishte rasti më 24 shkurt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore