Lajme

Uji i Fukushima-s do të derdhet në oqean në muajt e ardhshëm, sipas qeverisë japoneze


Derdhja e diskutueshme e më shumë se një milion ton ujë nga centrali bërthamor i shkatërruar në Fukushima Daiichi do të fillojë në pranverë ose verë.

Kështu ka bërë me dije qeveria japoneze për këtë veprim që ka ngjallur zemërim midis komuniteteve lokale të peshkimit dhe vendeve në rajon.

Sakaq, vendimi vjen më shumë se dy vjet pasi qeveria miratoi lëshimin e ujit, i cili do të trajtohet për të hequr shumicën e materialeve radioaktive.

Por që do të vazhdojë të përmbajë tritium, një formë radioaktive natyrale e hidrogjenit që teknikisht është e vështirë të ndahet nga uji.

Zyrtarët japonezë këmbëngulin se ai ujë nuk do të përbëjë kërcënim për shëndetin e njerëzve apo mjedisin detar.

Mirëpo, planet hasin kundërshtime nga peshkatarët që thonë se rrezikon të shkatërrojë jetesën e tyre, pothuajse 12 vjet pasi një tërmet me magnitudë 9.0 shkaktoi një cunam të madh dhe la të vrarë më shumë se 18 mijë njerëz përgjatë bregut verilindor të Japonisë.

Valët e cunamit u përplasën në Fukushima Daiichi, duke ndërprerë furnizimin e saj me energji elektrike rezervë, duke shkaktuar shkrirje në tre prej reaktorëve dhe duke dërguar sasi të mëdha rrezatimi në atmosferë në aksidentin më të rëndë bërthamor që nga Çornobili një çerek shekulli më parë.

Referuar ministrisë së Jashtme japoneze, rregullatorët e kanë konsideruar  në korrik të sigurt lëshimin e ujit, i cili do të shkarkohet gradualisht në oqeanin Paqësor nëpërmjet një tuneli pasi të trajtohet dhe hollohet.

Por Koreja e Jugut dhe Kina kanë shprehur shqetësimin për shkarkimin teksa Forumi i Ishujve të Paqësorit ka thënë së fundmi se kishte “shqetësime të rënda” për lëshimin e propozuar.

Sekretari i përgjithshëm i forumit, Henry Puna, ka thënë se Japonia “duhet të ndalojë çdo lëshim të tillë derisa të jemi të sigurt për implikimet e këtij propozimi mbi mjedisin dhe shëndetin e njeriut, veçanërisht duke pranuar se shumica e popujve të Paqësorit janë popuj bregdetarë dhe se oqeani vazhdon të jetë pjesë integrale e jetesës së tyre”.

Sipas planit të miratuar nga kabineti i Japonisë, peshkatarët që kanë frikë se lëshimi do të ndikojë në jetesën e tyre do të jenë në gjendje të kenë akses në një fond të ri prej 385 milionë dollarësh.

“Ne do të donim t’u shpjegonim plotësisht këto masa komuniteteve të peshkimit dhe palëve të tjera përkatëse duke dëgjuar shqetësimet e tyre”, ka thënë kryesekretari i kabinetit, Hirokazu Matsuno.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore