Lajme

UFO-ja e pikasur për herë të parë në 2004-ën, fotografohet në Angli


Një objekt i paidentifikuar fluturues (UFO) që i ngjan një “Tic Tac-u” të bardhë, i pikasur për herë të parë në vitin 2004 nga ish piloti i Marinës Amerikane, David Fravor, është kthyer, por këtë herë po fluturon mbi Angli.

Fotografitë e UFO-s së famshme u shkrepën nga Lucy Jane Castle, e cila arriti të kapte një copë të objektit të pashpjegueshëm dhe e postoi atë në faqen e një gjahtari UFO-sh në Facebook.

“Ishte duke qëndruar pezull në ajër për disa kohë dhe, sa hap e mbyll sytë, ishte zhdukur”, tha Castle.

“Asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë … Përfitova nga rasti për të bërë fotografinë sa po qëndronte në ajër, pa lëvizur dhe sa hap e mbyll sytë, u zhduk”.

Dan Watson, një anëtar i grupit privat të Vështrimeve të UFO-ve në Mbretërinë e Bashkuar, postoi një foto të dy objekteve të ngjashme që ai pretendon t’i ketë parë mbi qytetin e Swindon, vitin e kaluar.

Një burrë tjetër, i quajtur Terry Moore, vuri në dukje se “pamjet e UFO-ve janë rritur masivisht .. nga ajo që unë kam dëgjuar që ushtria amerikane kishte 6 mijë raste vetëm vitin e kaluar .. kështu, ose do të vizitohemi nga qenie aliene ose dikush ka një teknologji të re”.

Në një intervistë të vitit 2017, ish-piloti Fravor, i cili ishte në një mision rutinor trajnimi midis San Diego-s dhe Ensenadas në Meksikë, përshkroi imazhin e UFO-s si një “Tic Tac të bardhë, me të njëjtën madhësi të një avioni ‘Hornet’, 12 metër të gjatë dhe pa krahë… Thjesht po qëndronte mbi ujë”.

Objekti nuk po krijonte dallgë mbi sipërfaqen e ujit, monitoronte lëvizjet e pilotëve ndërsa ata po afroheshin, dhe pastaj u zhduk.

Lajmi vjen disa javë pasi Autoritetet e Inteligjencës Amerikane nuk ishin në gjendje të shpjegonin se çfarë ishin objektet e paidentifikuara fluturuese, të pikasura në vitet e fundit nga pilotët e marinës.

Sipas një raporti të publikuar në fillim të muajit qershor nga agjencia e lajmeve “New York Times”, shumica dërrmuese e më shumë se 120 objekteve të paidentifikuara në 20 vitet e fundit nuk ishin pjesë e ndonjë ushtrie amerikane apo teknologjie tjetër qeveritare.

Një version i paklasifikuar i raportit, i gatshëm t’i dorëzohet Kongresit deri më 25 qershor, do të sigurojë “disa përfundime të tjera të forta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore