Auto

Uber-i paditet nga Departamenti i Drejtësisë mbi çështjen e personave me aftësi të kufizuara


Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) ka paditur aplikacionin Uber për udhëtime, lidhur me akuzat se ka ngarkuar më shumë personat me aftësi të kufizuara.

Pretendimet e departamentit janë për tarifat e “kohës së pritjes” së Uber-it. Ato janë diskriminuese ndaj pasagjerëve me aftësi të kufizuara, të cilëve u duhen më shumë se dy minuta për të hipur në makinë.

Referuar DoJ-së, marrë shkas nga kjo, Uber-i duhet të pajtohet me Aktin e Amerikanëve me Aftësi të Kufizuara (ADA), tregon agjencia e lajmeve, “BBC”.

Mirëpo, kompania ka thënë se tarifat e kohës së pritjes nuk kishin për qëllim të aplikoheshin për pasagjerët me aftësi të kufizuara. Gjithashtu ka shtuar se i kishte rimbursuar tarifat.

Kristen Clarke, prokurore e përgjithshme ndihmëse për divizionin e të drejtave civile të DoJ-së, ka thënë se padia synonte të dërgonte një “mesazh të fuqishëm se Uber-i nuk mund të penalizojë pasagjerët me aftësi të kufizuara thjesht sepse atyre u duhet më shumë kohë për të hipur në makinë”.

Sipas saj, Uber-i dhe kompanitë e tjera që ofrojnë shërbime transporti “duhet të sigurojnë qasje të barabartë për të gjithë njerëzit, përfshirë ata me aftësi të kufizuara”.

Paçka kësaj, kompania ka mohuar që politikat e veta kanë qenë në kundërshtim me ADA-n.

Një zëdhënës, shkruan “BBC”, ka bërë me dije se kompania kishte qenë në bisedime me departamentin përpara padisë “befasuese dhe zhgënjyese”.

Problemi me personat me aftësi të kufizuara ka nisur që në vitin 2016 kur Uber-i nisi të tarifonte pasagjerët për kohën e pritjes së shoferit.

Sipas firmës, ata tarifohen mesatarisht më pak se 60 cent dhe se udhëtimet me karrige me rrota ose udhëtimet e Uber Assist nuk kanë tarifa për kohën e pritjes si parazgjedhje.

Kjo nuk është hera e parë që kompania gjendet në pozita të tilla përballë çështjes së aftësive të kufizuara.

Në prill, u urdhërua t’i paguante një gruaje të verbër në San Francisko 1.1 milionë dollarë pasi asaj iu refuzuan udhëtimet në 14 raste, tregon “BBC”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, fituesi i medaljes Paralimpike Jack Hunter-Spivey, ka pohuar në muajin shtator se Uber-i dhe shoferë të tjerë taksie largoheshin rregullisht kur shihnin se ai ishte me karrige me rrota.

Kurse një vit më parë, një studim nga Universiteti i Tenesit ka zbuluar se nevojiten 28 për qind më shumë të ardhura për një person me aftësi të kufizuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur të njëjtin standard jetese si një person pa aftësi të kufizuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore