Aplikacione

Twitter-i zgjeron goditjen ndaj gjuhës së urrejtjes në platformë


Platforma Twitter pritet të zgjerojë funksionin Safety Mode, i cili lejon përdoruesit të bllokojnë përkohësisht llogaritë që dërgojnë tweet-e të dëmshme ose abuzive.

Përmes këtij funksioni do të etiketohen prej sistemit llogaritë që përdorin komente urrejtjeje ose ato që bombardojnë njerëzit me komente të padëshiruara.

Gjithashtu do t’i bllokojë ato për shtatë ditë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se gjysma e përdoruesve të platformës në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi, Zelandën e Re dhe Irlandë, tanimë do të kenë akses.

Përpos kësaj ata do të jenë në gjendje të përdorin një veçori shoqëruese të quajtur Modaliteti i Sigurisë Proaktive.

Ky i fundit pritet të identifikojë në mënyrë proaktive përgjigjet potencialisht të dëmshme dhe t’i shtyjë njerëzit të marrin në konsideratë aktivizimin e modalitetit.

Vetë Twitter-i ka bërë me dije se e kishte shtuar këtë bazuar në reagimet nga disa përdorues në provën fillestare, të cilët kërkonin ndihmë për identifikimin e ndërveprimeve të padëshiruara.

Lidhur me veçorinë Safety Mode, ajo mund të aktivizohet te cilësimet dhe sistemi do të vlerësojë si përmbajtjen e tweet-it, ashtu edhe marrëdhënien midis autorit të tij dhe përgjigjes.

Kurse për llogaritë me të cilat përdoruesi ndërvepron shpesh, mësohet se nuk do të bllokohen automatikisht.

Nga ana tjetër, Twitter-i ka njoftuar se do të mbledhë më shumë njohuri se si funksionon funksioni dhe do të përfshijë potencialisht përmirësime shtesë.

Lëvizja vjen pasi prej kohësh, kompania lufton me përmbajtjet abuzive dhe ngacmimet në platformën e vet. Tanimë përballet edhe me një shqyrtim më të gjerë nga rregullatorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore