Lajme

Turqia në koordinim me Hungarinë për anëtarësimin e Suedisë në NATO


Turqia dhe Hungaria janë në koordinim të ngushtë në lidhje me ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij hungarez Peter Szijjart, Fidan tha se Suedia kishte ndërmarrë disa hapa në përgjigje të kërkesave të Turqisë në lidhje me luftën kundër terrorizmit, por se ai priste hapa të mëtejshëm nga Stokholmi, transmeton Reuters.

Parlamenti turk do të debatojë ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO kur të rifillojë punën në vjeshtë, në tetor.

Më 10 korrik, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dha dritën jeshile për pranimin e Suedisë në NATO, të cilin ai e kishte bllokuar për më shumë se një vit.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për NATO vitin e kaluar pas pushtimit rus të Ukrainës.

Finlanda mori dritën jeshile në prill të këtij viti, por Suedia u pengua nga Turqia dhe Hungaria.

Budapesti zyrtar tha më parë se do të miratonte anëtarësimin suedez pasi ta miratonte Turqia.

Presidenti turk pretendoi se Suedia strehon anëtarë të grupeve terroriste, kryesisht mbështetës të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilët ai i akuzon për organizimin e protestave dhe financimin e grupeve terroriste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore