Lajme

Trupat e FSK-së arrijnë në Adana, vullnetarët në Turqi i presin me duartrokitje


Trupat e FSK-së në Turqi.

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbërritur në Turqi, në operacionin e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti.

Arritjen e FSK në Turqi e ka bërë të ditur Fondacioni SETA në Uashington, të cilët kanë publikuar pamje nga momenti kur ekipi i Kosovës ka arritur në Adana dhe janë pritur me duartrokitje nga vullnetarët turq.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bëri të ditur të hënën se kanë nisur kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacion humanitar në Turqi.

“Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm”, ka shkruar Mehaj në rrjetin social ‘Facebook’.

Mehaj sqaroi se task-forca përbëhet nga specialistët e FSK-së në kërkim- shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.

“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim- shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit”.

Në Turqi dhe Siri janë duke vazhduar përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.

Trupat e FSK-së gjatë nisjes për në Turqi.

Mbi 4 mijë e 800 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh që goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Njëri nga vendet që ka ofruar ndihmë për popullin e Turqisë është edhe Kosova.

Nga krerët institucionalë është thënë se Kosova ka gatishmëri që të ndihmojë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në Twitter se ndihma do të ofrohet përmes dërgimit të trupave të Forcës së Sigurisë në Turqi, nga ana tjetër opozita ka kërkuar krijimin e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme humanitare.

Nga Turqia të hënën ishte thënë se afër 9 mijë persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.

Osmani e Kurti i ofruan ndihmë Turqisë – por si dhe sa mund ta ndihmojë Kosova popullin turk?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore