Lajme

Krasniqi për tërmetin në Turqi: Populli i Kosovës është me ju në këtë periudhë të rëndë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka dërguar ngushëllime presidentit turk, Recep Tayypi Erdogan dhe të gjithë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga tërmeti.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Krasniqi ka thënë se populli i Kosovës është me ta në këtë periudhë të vështirë.

“Mëngjesi i sotëm na gjeti me lajmin e hidhur që vjen nga Turqia, ku si pasojë e një tërmeti të fuqishëm kanë humbur jetën qindra qytetarë dhe qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa fshatra e qytete të shumta kanë pësuar dëme të paimagjinueshme. Në këto momente të vështira dhe tragjike, ndajmë dhembjen me shtetin dhe popullin turk”.

“Presidentit Erdogan dhe të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, u dërgoj ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Edhe Qeveria e Kosovës ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka bërë të ditur se Kosova dhe populli i Kosovës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet.

Tërmeti në Turqi.

Reagim për këtë ngjarje ka pasur edhe nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ i ka propozuar Qeverisë së Kosovës ndarjen e një fondi emergjent për Turqinë.

“I prekur thellë nga ngjarjet tragjike pas tërmetit të fuqishëm që goditi sot Turqinë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurit. Në këto rrethana të vështira për popullin e Turqisë, lutemi që kjo gjendje të kalojë me sa më pak viktima dhe me sa më pak dëme!”.

“I propozoj Qeverisë së Kosovës ndarjen e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme humanitare dhe ofrimin e ndihmës së njësive operacionale nga FSK-ja”, ka shkruar Haradinaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka siguruar shtetin turk se Kosova është gati për të ndihmuar Turqinë përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter që la të vdekur 284 persona në Turqi dhe po kaq të tjerë në Siri.

Tërmeti i fuqishëm që deri në këto momente ka lënë të vdekur mbi 600 persona epiqendrën e kishte mes Turqisë dhe Sirisë.

Dridhjet e para filluan në orët e mëngjesit të hershëm.

Me kërkimet në vazhdim, raportimet vendore tregojnë një numër prej të paktën 284 personash, të cilët kanë humbur jetën në Turqi.

Teksa, në Siri, bilanci është edhe më tragjik, me 237 të vdekur dhe 639 të plagosur deri tani.

Këto janë shifrat të vërtetuara edhe nga ministritë përkatëse të shëndetësisë deri më tani.

Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por të prekur kanë qenë edhe 10 qytete të tjera, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore