Lajme

Trump synon rikthimin në ‘skenë’


Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka kritikuar ekspertin e Covid-19, Anthony Fauci, duke bërë thirrje që Kina të paguajë dëmshpërblime për pandeminë.

Gjithashtu, ai denoncoi hetimin penal të Prokurorit të Përgjithshëm të New York-ut në marrëdhëniet e tij të biznesit .

Në një konventë të Partisë Republikane (GOP) në Karolinën e Veriut të shtunën e 5 qershorit, Trump u prezantua nga kryetari i partisë së shtetit, Michael Whatley si “presidenti ynë”, një shenjë për pretendimet e pabazuara të Trump se zgjedhjet e vitit 2020 iu vodhën atij përmes mashtrimit të votuesve.

Këtë, Trump e quajti “Krimi i shekullit”.

Duke u bërë thirrje Republikanëve të mbështesin vetëm besnikët e Trump në zgjedhjet afatmesme të vitit të ardhshëm, Trump “ngacmoi” mundësinë e një oferte tjetër presidenciale të tij në 2024.

“Mbijetesa e Amerikës varet nga aftësia jonë për të zgjedhur Republikanët në çdo nivel”, tha ai në fjalim.

Disa udhëheqës partie shqetësohen se një rritje e kandidatëve pro-Trump në muajt e ardhshëm mund të rrezikojë luftën e GOP-it për kontrollin e Kongresit në 2022.

Ish-presidenti Trump ka kritikuar Fauci-n për mënyrën e trajtimit të pandemisë.

Ai e ka quajtur “një promovues të shkëlqyer, por jo një mjek të shkëlqyer” për daljet e tij të shpeshta në televizion.

“Ai ka gabuar pothuajse në çdo çështje”, deklaroi Trump.

Trajtimi i pandemisë nga vetë Trump, gjatë së cilës vdiqën gati 600 mijë persona, ku dhe vetë ai ishte infektuar, ishte një faktor në humbjen e tij ndaj presidentit Joe Biden në vitin 2020.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Kinës të paguante 10 trilionë dollarë si dëmshpërblim për SHBA-të dhe botës për trajtimin e virusit. Gjithashtu ai tha se kombet duhet të anullojnë borxhin e tyre ndaj Pekinit.

Trump tha se një hetim penal i filluar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të New York-ut ishte “ekspedita e fundit e peshkimit”. Kjo, sipas tij, është përpjekja më e fundit e Demokratëve për ta burgosur, pas dy sagave të fajësimit kur ai ishte president.

“Ka qenë një gjueti pesë vjeçare shtrigash, mashtrim pas mashtrimi”, tha Trump.

“Ata kurrë nuk do të ndalen deri në nëntor të 2024-ës”.

Prokurorja e përgjithshme e New York-ut, Letitia James, ka hetuar ndërkaq nëse organizata Trump raportoi në mënyrë të gabuar vlerat e pronës për të siguruar hua dhe për të marrë përfitime ekonomike dhe tatimore.

Këshilltarët e Trump-it janë duke shikuar paraqitjet e mëvonshme në Ohio, Florida, Alabama dhe Georgia për të ndihmuar në forcimin e kandidatëve afatmesëm dhe sigurimin e votave.

Në dallim nga mega-tubimet që mbushnin arenat sportive kur Trump ishte president, të shtunën ai u përball me një turmë prej rreth 1 mijë e 200 personash, sipas organizatorëve.

Marrë dhe përshtatur nga The Guardian për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore