Lajme

Trump padit gazetarin Bob Woodward, kërkon 50 milionë dollarë dëmshpërblim


Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paditur Bob Woodward për një fraksion më pak se 50 milionë dollarësh.

Kjo me pretendimin se nuk ka pranuar që gazetari veteran i “Washington Post” të publikonte kasetat e bisedave të tyre si një libër audio.

Botuesi i Woodward, Simon & Schuster, dhe kompania e tij mëmë Paramount Global, u emëruan gjithashtu si të pandehur.

Kasetat e Trump-it u publikuan në tetor 2022, nën titullin Bob Woodward’s Twenty Interviews With President Donald Trump.

Në padinë e paraqitur në distriktin verior të Floridës të hënën e 30 janarit, avokatët e Trump-it kanë thënë se çështja e tyre “përqendrohet në uzurpimin sistematik të Woodward, manipulimin dhe shfrytëzimin e audios së Presidentit Trump”.

Po ashtu ata kanë pretenduar se një bisedë ishte redaktuar në mënyrë mashtruese, duke përmendur një krahasim me një regjistrim të bërë nga Hogan Gidley, një ndihmës i Trump-it, në Mar-a-Lago në Florida më 30 dhjetor 2019.

Sipas padisë, ky regjistrim përmban një shkëmbim në të cilin Woodward i thotë Trump: “Kjo përsëri është që libri të dalë përpara zgjedhjeve”.

Sakaq, Trump po kërkon pak më pak se 50 milionë dollarë dëmshpërblim, një shifër që avokatët e tij thonë se e arritën duke parë shitjet.

“Bazuar në çmimin e blerjes së kasetës audio, 24,99 dollarë, dëmet që presidenti Trump ka pësuar për shkak të veprimeve të të pandehurve siç janë përcaktuar këtu vlerësohen të jenë të paktën 49 milionë e 980 mijë dollarë, përjashtuar dëmet ndëshkuese, tarifat e avokatit dhe kostot”, sipas tyre.

Fillimisht, Trump u ankua kur u publikua libri audio. Asokohe Woodward u pyet në lidhje me pretendimin e Trump-it se ai “asnjëherë nuk mori lejen për të publikuar këto kaseta”.

“Epo, ato u bënë vullnetarisht, gjithçka ishte në procesverbal. Disa prej tyre i kisha përdorur më parë. Pra, ai është president dhe kështu që ai është atje”, është përgjigjur asokohe Woodward.

Trump ka filluar të përshpejtojë fushatën e tij për nominimin presidencial republikan në vitin 2024, garë në të cilën ai mbetet i vetmi kandidat i deklaruar.

Ai përballet me rrezik ligjor në shumë fronte: mbi përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e 2020-ës, çështjet e tij financiare dhe financimin e fushatës, mbajtjen e të dhënave të klasifikuara dhe një akuzë për përdhunim nga E Jean Carroll, të cilin Trump e mohon.

Pjesa e padisë së tij kundër Woodward, e cila pretendon për modifikim mashtrues, përmban një jehonë të skandalit që e bëri të famshëm gazetarin: Watergate, i cili rrëzoi Richard Nixon në vitin 1974.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore