Muzikë

Triumfon Dua Lipa, Artikal Sound System tërheq padinë mbi këngën “Levitating”


Grupi i zhanrit “reggae”, Artikal Sound System në Florida ka vendosur të heqë dorë nga një çështje për të drejtat e autorit që akuzon Dua Lipën se ka kopjuar këngën e saj të suksesshme “Levitating” nga kënga e tyre e mëparshme, dy ditë pasi një gjykatës federal hodhi dyshime serioze mbi pretendimet e padisë.

Ata e kishin paditur yllin shqiptar me famë botërore vitin e kaluar mbi akuzat se kënga e saj e vitit 2020, e kishte të vjedhur bazën e saj nga melodia e tyre më pak e njohur e vitit 2017, me titull “Live Your Life”.

Por në një dosje të paraqitur së fundmi, avokatët e Artikal Sound System dhe Lipa paraqitën një mocion të përbashkët, duke i kërkuar gjykatësit të pushojë përfundimisht çështjen, shkruan Billboard, transmeton AlbanianPost.

Deklarata erdhi vetëm dy ditë pasi gjykatësja e qarkut të ShBA-së, Sunshine Sykes vendosi fuqishëm në favor të Duas, duke thënë se nuk kishte asnjë shenjë se dikush i përfshirë në krijimin e hitit “Levitating” kishte pasur “akses” në këngën e mëparshme –  kërkesë kjo kryesore në çdo padi për të drejtën e autorit.

Ndërkohë, avokatja e Lipës, Christine Lepera konfirmoi se grupi kishte zgjedhur të largohej nga procesi gjyqësor në mënyrë të njëanshme dhe se nuk ishte arritur asnjë zgjidhje.

“Pas vendimit të gjykatës për rrëzimin e ankesës së tyre, paditësit zgjodhën vullnetarisht të ndërpresin çështjen me paragjykime, pa asnjë konsideratë nga të pandehurit, të cilët ishin të përgatitur të mbronin fuqishëm çdo vazhdim të çështjes”, tha Lepera, një avokate në studion ligjore “Mitchell Silberberg & Knupp”.

Vendimi i Artikal Sound System për të hequr dorë nga padia i jep fund rastit të ngritur kundër Duas vitin e kaluar për këngën “Levitating”, e cila arriti kulmin në vendin e dytë në “Billboard Hot 100”, përpara se të siguronte nderin e të qenit kryesuesja më jetëgjatë në këtë top-listë, duke qëndruar plot 77 javë brenda saj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore