Shqipëria

Tritoli si paralajmërim për klanin Duka, në kërkim përgjegjësi i banesës


Në banesën e 65-vjeçarit Muhamet Duka, babait të Leonard Dukës, nuk banonte asnjeri prej katër vitesh.

Banesa u trondit nga një shpërthim me lëndë plasëse në orët e mesnatës të 18 prillit, bëri me dije Policia në njoftimin e saj zyrtar.

Por, dikush ishte përgjegjës për ta mbikëqyrur banesën dhe tashmë është në kërkim nga efektivët e policisë.

Lënda plasëse ishte vendosur në katin e katërt, në derën e banesës së Dukës, në zonën e Freskut, në afërsi të Institutit të Fizikës Bërthamore.

Si pasojë ka vetëm dëme materiale dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit, shton Policia.

Shpërthimi shkaktoi panik te banorët e tjerë të pallatit të cilët dolën jashtë ndonëse ishte ora 03:00.

Leonard Duka njihet si rivali më i madh i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

37-vjeçari, kreu i klanit ‘Duka’ i shumëkërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armbajtje pa leje, u arrestua në një provincë të Brukselit, teksa fshihej në një banesë private.

Duka akuzohet se ka gisht në vrasjen e Santiago Malkos, i vrarë më 27 gusht 2019, mik i afërt i të zhdukurit Ervis Martinaj.

Përplasja me Santiago Malkon

SPAK mbylli në vitin 2021 hetimet ndaj çështjes së vdekjes së ish-policit Santiago Malko.

Sipas SPAK-ut, motivi i vrasjes së tij ka qenë përplasja mes bandave për lojërat e fatit.

26-vjeçari ishte një emër i njohur për drejtësinë, pasi në vitin 2016 ka pasur një përplasje me vëllezërit Edmond dhe Gentian Llashi.

Të akuzuar për vrasjen e tij janë, Erlis Duka, Ilir Selmani, Leonard Duka, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni, Dritan Aga.

Të gjithë këta shtetas janë të shpallur në kërkim.

I vetmi i arrestuar ishte Teta, mbi të cilin SPAK-u ka kërkuar t’i ndryshohet akuza nga “vrasje me paramendim” në “vrasje për hakmarrje”.

Sipas Prokurorisë, Teta ka qenë në dijeni për vrasjen dhe ka marrë pjesë në ekzekutimin e Malkos.

Ekzekutimi i Malkos

Malko u ekzekutua më 27 gusht në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20, në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së Malkos u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Sipas SPAK-ut, vrasjes së tij i paraprijnë dy ngjarjeve kriminale, ajo e 26 gushtit në vitin 2018, kur në një lokal mbetën të plagosur Juxhin Hamajezi, Ibrahim Durollari dhe Rovaldo Mumajesi.

Autori i kësaj ngjarjeje dyshohej të ishte Santiago Malko. Fill pas kësaj, SPAK sugjestionon se ai ka qenë i përfshirë në tentativën për vrasjen e Erlis Dukës.

SPAK ka bërë me dije si provë kundër tyre nuk është vetëm dëshmia e Ilir Dukës, por edhe provat e ADN-së të gjetura në makinë.

Ndërkohë, në një intervistë televizive nëna e viktimës do të shprehej se vëllezërit Duka ishin vrasësit e djalit të saj.

Ajo, gjithashtu, ka njoftuar se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën e Hagës.

Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj.

Ndërsa bashkëshortja e tij ishte pjesë e Policisë së Tiranës, në njësinë “Shqiponja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore