Gjykata Speciale

Tri ditë Speciale – krejt çka ndodhi


Ilustrim: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi të hënën e 3 prillit, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, shpalosën aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të UÇK-së, përkatësisht ndaj Shtabit të Përgjithshëm së një ushtrie të një populli të dërrmuar nga shtypja njëshekullore e Serbisë, që nga Zyra e Prokurit të Specializuar u barazvlerësua me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Me gjithë përpjekjet e Prokurorisë së Specializuar për të thënë se ky proces është ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK-së, ajo demantohet me pikën 35 të aktakuzës – e cila i portretizon si anëtarë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së.

Hashim Thaçi

Procesi gjyqësor i nisur të hënën ka prapa vetes dy vjet e gjysmë zvarritjeje e shkelje – e cila është kritikuar sidomos për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta, si dhe për bashkëpunim me Serbinë.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

Prokurorët e Specializuara ishin të parët që nisën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e ngritur ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ndaj Rexhep Selimit, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvedosje.

Dhomat e Specialuzuara pasi dështuan fatalisht me Raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty ku akuzoheshin krerët e UÇK-së për trafikim organesh me qënie njerëzore, thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Rexhep Selimi

Kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, sipas prokurorisë, kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”. Ata gjatë këtij gjykimi thanë se do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Akuza e parë që rëndon mbi Thaçin dhe të tjerët është që “përmes veprimeve dhe mosveprimeve”, me anë të pjesëmarrjes së tyre në “ndërmarrje të përbashkët kriminale” kryen ose ndihmuan dhe inkurajuan krime të paraqitur në këtë akuzë.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët paraqitën një sërë intervistash, komunikatash e dokumentarësh, por edhe dokumente të tjera që janë marrë nga shtëpitë e të akuzuarve, që sipas tyre, do të dëshmojnë për fajësinë e tyre.

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se të akuzuarit janë “personalisht përgjegjës” për krimet që iu ngarkohen, duke pretenduar se UÇK-ja ishte një ushtri me hiearki të mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale dhe në krye të kësaj strukture ishte Shtabi i Përgjithshëm.

“Ata, të katër, pa asnjë dyshim ishin udhëheqësit parësorë të UÇK-së dhe për këtë janë vlerësuar dhe nderohen. Por, kishte edhe një anë tjetër më të errët të udhëheqjes së tyre dhe ky është objekt i gjykimit që po fillon sot”, deklaroi Whiting.

Ndërkaq, prokurori tjetër, Matthew Halling, tha se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që “besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës” dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën, i cili besonte në rezistencë paqësore kundër Serbisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se në kohën që e mbulon aktakuza, në Kosovë dhe veri të Shqipërisë – Kukës dhe Cahan – ka pasur mbi 40 qendra të ndalimit, ku në mënyrë të jashtëligjshme ishin ndaluar më shumë se 400 persona. Të paktën 102 ishin vrarë dhe mbi 20 të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Kadri Veseli

Deklaratën hyrëse në këtë seancë e bëri edhe Simon Laws, mbrojtësi i viktimave, i cili deklaroi se të 140 viktimat – shqiptarë, serbë romë, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë – kanë një të përbashkët.

“Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, tha Laws, duke shpikur një “grup” ekskluziv të persekutuar nga UÇK-ja.

Krahas kundërshtarëve politikë shqiptarë, krahas serbëve, romëve e tjerëve, katolikët shqiptarë pandehen si të persekutuar, ndonëse ata luftuan në rreshtin e UÇK-së, si pjesë organike e popullit shqiptar të Kosovës dhe dhanë shumë dëshmorë gjatë luftës.

Laws ndër të tjera tha se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte diçka “e paimagjinueshme”, duke akuzuar edhe mediat e Kosovës, që, sipas tij, po përpiqen të hedhin “hije dyshimi” mbi punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndërkaq, më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit dhe Selimit mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin gjyqësor. Avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Gregory Kehoe, avokati i Thaçit, tha se klienti i tij gjatë kohës së aktakuzës kishte qenë drejtor politik i UÇK-së dhe më pas kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, por nuk kishte pasur përgjegjësi e as nuk e kishte kontrolluar UÇK-në.

“Thaçi nuk pati kurrë pushtet. Ishte kryeministër për t’u përfaqësuar para ndërkombëtarëve, por këta tituj ishin veç në letër. Ai bëri çmos që ta promovonte vetën si një person i pushtetshëm, por nuk kishte pushtet real”, tha Kehoe.

Mbrojtësi i Veselit, Ben Emmerson, tha se prokuroria nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmitar që e lidh klientin e tij me ndonjë pikë të akuzës, edhe pse janë intervistuar mijëra dëshmitarë nga prokuroria, asnjë prej tyre nuk thotë se që e ka parë që Veselin të ketë nxitur ndonjë vepër kriminale.

“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë qenë i pranishëm në çfarëdo krimi, të ketë autorizuar apo nxitur një krim ose politikë kriminale, apo të ketë marrë ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer. Nuk ka asnjë provë që ai të mos ketë marrë hapa për të parandaluar ndonjë krim”, tha ai.

Avokati mbrojtës i Selimit, Geoffrey Roberts, në fjalën e tij hyrëse para trupit gjykues në Hagë, tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës, të cilët vendosën të nisnin luftën për liri.

Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të Zyrës së Prokurit të Specializuar, iu referuan masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt ndaj familjes Jashari “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.

Roberts tha se pretendimet ZPS-së se UÇK-ja ishte një ushtri me hiearki të mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale, nuk qëndrojnë, ngase siç tha ai, ka pasur “aspiratë të individëve për të qenë të organizuar”, por nuk përkonin me “realitetin e situatës në terren”.

Jakup Krasniqi

Më 5 prill, avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se klienti i saj ishte zëdhënës i UÇK-së dhe për një kohë edhe zëvendëskomandant për mbështetje në UÇK, por nuk kishte asnjë përgjegjësi operacionale, teksa shtoi se ndryshe nga pretendimet e prokurorisë, UÇK-ja “nuk ka pasur asnjëherë një zinxhirë vertikal komande”.

“Ne jemi besimplotë që në fund të çështjes së prokurorisë ne do të kemi mundësi që të bëjmë të njëjtin parashtrim të fortë siç po bëjmë deri më tani, që nuk ka asnjë provë të besueshme që e lidhë Jakup Krasniqin me asnjë krim, që nuk ka prova të besueshme për qëllimin kriminal të përbashkët”, tha ajo.

Në ditën e tretë të gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së, avokatja Venkateswari, ka theksuar një pikë shumë të rëndësishme për të rrëzuar pretendimet absurde të prokurorisë, për t’i delegjitimuar bombardimet e NATO-s mbi policinë dhe ushtrinë serbe në mars të vitit 1999.

“Nëse këta (UÇK) kanë qenë ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, NATO-ja paska përkrahur një ndërmarrje të përbashkët kriminale atëherë”, tha Venkateswari dhe shtoi se “prokuroria është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”.

Thaçi, Selimi e Krasniqi, ndryshe nga Veseli, zgjodhën që të bënin edhe vetë deklarata hyrëse para trupit gjykues, në betejën e tyre të fundit me drejtësinë.

Ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij para trupit gjykues, tha se është i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe se është gati të përballet me një sfidë të re. Ish-presidenti deklaroi se rruga për liri ishte e gjatë dhe e vështirë dhe se çmimi ishte i lartë, porse, në fund “kjo sakrificë ia ka vlejtur”.

Akuzat për trafikim organesh ishin bërë nga senatori Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport ishte pikënisja e thirrjeve për themelimin e Dhomave të Specializuara, institucion që deputetët e Kuvendit të Kosovës e themeluan më 2015.

“Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr”, tha Thaçi.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara që opinionet politike që ka pasur me ish-krerët tjerë të UÇK-së të mos përdoren si fakte juridike kundër tyre. Në adresimin e tij para trupit gjykues, ai tha se ato deklarata nuk duhet për përdoren as kundër Thaçit, Veselit e Krasniqit.

“Në këto qaste kur ne flasim e po na shohin qytetarët, kam shumë besim se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën. Dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi të lirë, për të cilin luftuam gjatë gjithë jetës tonë”, deklaroi Selimi.

Ndërkaq, ish-zëdhënësi i UÇK-së gjatë fjalimit të tij para trupit gjykues tha se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë krim, se ai kurrë nuk ka qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal dhe asnjëherë në jetën e tij as nuk bëri e as nuk nxiti ndonjë vepër kriminale.

“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimet e mia jetësore”, tha Krasniqi.

Madje, në fjalën e tij para trupit gjykues, ai ka thënë se vetëm një mendje e çoroditur do të mund ta akuzonte atë për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës siç pretendon prokuroria, pasi ai vetë ishte anëtar dhe kryetar dege i kësaj partie.

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, unë vetë kam qenë anëtar i LDK-së, familjarët, bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendje e çoroditur do të mund të mendonte se unë isha pjesë e persekutimit tim dhe familjarëve të mi”, deklaroi Krasniqi.

Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, gjykimi do të vazhdojë më 11 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të nisë paraqitjen e provave kundër të akuzuarve. Aktakuza i ngarkon këto figura të larta për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Alex Whiting që s’ia doli me Limajn, është rikthyer për Thaçin dhe të tjerët – por me strategji të ndryshuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore