Gjykata Speciale

Alex Whiting që s’ia doli me Limajn, është rikthyer për Thaçin dhe të tjerët – por me strategji të ndryshuar


Alex Whiting

Me 29 gusht të vitit 2005, Alex Whiting, profesori i nderuar dhe juristi i respektuar globalisht, dha argumentin mbyllës si kryeprokuror i çështjes në gjykimin e Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balajt në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).

Gjykimi kishte filluar me 15 nëntor 1 vit më herët dhe Whiting besonte se kishte bërë mjaftueshëm për të dëshmuar përgjegjësitë individuale dhe komanduese të të akuzuarve në shënjestrimin, burgosjen, dhunën dhe vrasjen në disa raste të serbëve civilë dhe bashkëpunëtorëve të perceptuar shqiptarë që refuzuan të bashkëpunonin me UÇK-në ose i rezistuan UÇK-së me mjete joushtarake.

Sipas aktakuzës, në fillim të vitit 1998, “forcat e UÇK-së nën komandën dhe kontrollin e Limajt dhe Musliut kanë ndaluar në mënyrë të paligjshme civilë serbë dhe shqiptarë nga komunat e Shtimes, Gllogocit dhe Lipjanit për periudha të gjata në kamp-burgun e Llapushnikut”.

Aktakuza thoshte se “Limaj, Bala dhe Musliu kanë marrë pjesë në mbajtjen në kushte çnjerëzore në kamp, të cilat përfshinin ushqim dhe kujdes të pamjaftueshëm mjekësor, dhe ku morën pjesë ose ndihmuan dhe nxitën rrahjet, torturuan dhe vranë të burgosur”.

Qëllimi i Whiting atëherë ishte që të dëshmonte se ekzistonte një grup brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që funksionet si ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe qëronte hesapet me kundërshtarët.

Aktgjykimi i Dhomave Gjyqësore do ta dëshpëronte shumë kryeprokurorin franko-amerikan. Whiting nuk do të munde të plotësonte CV-në e tij me burgosjen e disa komandantëve të UÇK-së.

Vendimi i gjykatës do thoshte se ai si kryeprokuror dhe ekipi i tij ka dështuar të dëshmojë atë që ka pretenduar.

“Që Tribunali të ketë fuqinë për t’u marrë me krimet kundër njerëzimit, së pari duhet të provohet nga Prokuroria se sjellja e supozuar kriminale e të akuzuarit ishte pjesë e një sulmi ose sulmeve sistematike të drejtuara kundër një popullsie civile”.

Vendimi vazhdonte duke dhënë përfundimin se “Dhoma dëgjoi prova të rrëmbimeve, ndalimi dhe keqtrajtimi të kryer nga ushtarët e UÇK-së ndaj civilëve serbë dhe shqiptarë të Kosovës ndërmjet majit dhe korrikut 1998. Megjithatë, Dhoma gjykoi se nuk u vërtetua se këto akte ishin në shkallën ose natyrën e nevojshme për të krijuar një sulm të gjerë ose sistematik ndaj një popullate civile. Prandaj Pikat 1, 3, 5, 7 dhe 9 u hodhën poshtë në lidhje me të tre të akuzuarit”.

Whiting do dilte i humbur. Ai do kthehej për të ofruar shërbimet e tij prej ligjëruesi në universitetin prestigjioz Harvard me një humbje të pakapërdishme në karrierën e tij.

Koha do të tregonte se ky nuk do ishte episodi i fundit në përndjekjen e ish-komandantëve shqiptarë të UÇK-së nga Whiting.

14 vjet më vonë ai do caktohej si udhëheqës i Hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvendës Prokuror i Specializuar.

Përfundimisht, kur Prokurori i Specializuar, Jack Smith, do largohej nga ZPS-ja për të marrë postin e Këshilltarit Special në Shtetet e Bashkuara për të mbikëqyrur dy hetime penale në zhvillim, Whiting zë vendin e tij në cilësinë e ushtruesit të detyrës dhe me 3 prill 2023 ai do ta gjente veten sërish, duke provuar të dëshmojë çfarë s’kishte arritur dot më parë.

I vetëdijshëm se tentativa e parë e tij duke provuar të bëjë ndërlidhjen mes krimeve të ndodhura dhe zinxhirit komandues nga dhënia e urdhrit e deri të kryerja e veprës kishte dështuar, tashmë në Gjykatën Speciale Whiting vjen me tjetër strategji.

Në prezantimin e tij të parë hapës të hënën, ku u morën 5 orë për të ofruar argumentet qendrore, Whiting dhe bashkëpunëtorët e tij prokurorë provuan të dëshmojnë jo ndërlidhjen e krimeve me autorë dhe urdhrat, por se UÇK ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale, shumë mirë e organizuar dhe me qëllim eliminimin e kundërshtarëve politikë.

“Ajo që do të tregojnë provat është se ndërkohë që u ndoq një fshehtësi për funksionimin e UÇK-së, qëllimi kriminal i përbashkët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.

“Provat do dëshmojnë se UÇK-ja kishte qëllim të përbashkët kriminal”, vazhdojë prokurori i specializuar.

I gjithë rrëfimi i prokurorisë, siç u zbërthye më pas edhe nga avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ishte që fillimisht të argumentojnë se UÇK-ja kishte një zinxhirë hierarkik strikt të komandës dhe në zonat që shtrihej kishte një kontroll të plotë. Gjithçka që ndodhte në pjesën ku shtrihej UÇK bëhej me urdhrin e pakontestueshëm të shtabit të përgjithshëm.

Kjo me idenë që të mos ketë nevojë prokuroria më pas të dëshmojë ndërlidhje mes një vepre dhe urdhëruesit të parë të saj, por të konsiderohet parimisht si përgjegjës shtabi i përgjithshëm edhe nëse lidhja direkte nuk provohet – mbi argumentimin se s’do të mund të ndodhte, përveç nëse s’ishte porositur nga lartë.

Për një prokuror të kalibrit të Whiting do të ishte fatale po të dështonte sërish të provonte akuzat para gjykatës. Për këtë arsye ka ndryshuar edhe strategjia e tij e veprimit.

Siç u pa të hënën, koha më e madhe e prezantimit të argumenteve nga prokurori u mor jo për të dëshmuar ndërlidhje mes një krimi dhe autorit, por për të konsoliduar faktin se UÇK kishte kontroll të plotë në terren përmes strukturave të veta dhe çdo veprim edhe nga ushtari më i thjesht bëhej pas urdhrit nga shtabi i përgjithshëm, derisa qëllim jo të fshehur UÇK kishte “eliminimin e kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve politikë”.

Argumentimi i prokurorisë është cilësuar absurd nga mbrojtja. Për të dhënë një shkëndijë të absurditetit, avokatja e Jakup Krasniqit, Alagendra Venkateswari, ia ka kujtuar prokurorisë se nëse i japin UÇK-së rolin e një ndërmarrje të përbashkët kriminale, atëherë çfarë e bën kjo Aleancën Veri-atlantike kur vendosi të ndërhynte në krah të UÇK-së.

“Nëse këta (UÇK) kanë qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, NATO-ja paska përkrahur një ndërmarrje të përbashkët kriminale atëherë”, tha Venkateswari.

Veç saj, të gjithë avokatët mbrojtës në fjalitë e tyre prezantuese, kanë argumentuar në rrëzimin e argumenteve të paraqitura nga Prokuroria në këtë pikë.

Ata kanë thënë se UÇK-ja ishte një nismë që buronte nga populli dhe nuk përcillte në shumicën e kohës një linjë të qartë komanduese, siç e bën një ushtri e rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore