Sport

Trepça fiton dramën përballë Prizrenit 16


Në javën e dytë të ArtMotion Superligës së Kosovës në Basketboll, Trepça dhe Prizreni 16 dhuruan spektakël.

Dy skuadrat fituan nga dy çereke, por Trepça ishte pak më e mirë në ato ku kishte avantazh.

Mitrovicasit në pallatin sportiv “Minatori”, e fituan 10 minutëshin e parë me rezultat 31 – 23.

Me të njëjtën diferencë pikësh Prizreni 16 e fitoi çerekun e dytë, 18 – 26.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 49 – 49.

Në të tretin, Trepça bindshëm fitoi me rezultat 31 – 18, duke shkuar në periodën mbyllëse me rezultat 80 – 67.

Kurse, gjashtë pikët më shumë në periodën e fundit nuk ishin të mjaftueshme për Prizrenin.

Trepça fiton ndeshjen e dytë të sezonit, me rezultat 97 – 90.

Drilon Hajrizi ishte koshashënuesi më i mirë i Trepçës, me 22 pikë, të cilave iu shtoi nëntë kërcime dhe gjashtë asistime. Samir Zekiqi po ashtu ishte ndihmë e madhe me 20 pikë.

Te Prizreni 16 spikati Courtney Fells me 29 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime.

Edhe Ivan Koljenovic kishte paraqitje të mirë, me 25 pikë, tetë kërcime dhe nëntë asistime.

Trepça së bashku me Pejën udhëheqin tabelën pas dy javësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore