Biznes

Tregu i kriptomonedhave tronditet nga ‘kolapsi’ i FTX-së


Tregu i aseteve digjitale është tronditur nga ‘kolapsi’ i një prej shkëmbimeve më të mëdha të kriptomonedhave në botë, FTX.

FTX arriti një marrëveshje me rivalin më të madh Binance pasi një rritje e tërheqjeve shkaktoi një “krizë të konsiderueshme likuiditeti”.

Ato thuhet se shkaktuan gjashtë miliardë dollarë tërheqje në vetëm tre ditë.

Nga ana tjetër, Binance ka deklaruar se ra dakord të blinte njësinë e FTX-së jashtë SHBA-ve, në pritje të kujdesit të duhur.

Themeluesi i FTX Sam Bankman-Fried dhe shefi ekzekutiv i Binance Changpeng Zhao janë dy nga njerëzit më të fuqishëm në tregun e kriptomonedhave.

Po ashtu rivalë të profilit të lartë.

Presioni mbi FTX-në erdhi pjesërisht nga Zhao, i cili postoi në Twitter se Binance do të shiste asetet e veta të FTX, të njohur si FTT.

“Për shkak të zbulimeve të fundit që kanë dalë në dritë, ne kemi vendosur të likuidojmë çdo FTT të mbetur”, ka thënë ai.

Kështu, FTT-ja ka humbur pothuajse 80 për qind të vlerës së saj këtë javë.

“E rëndësishme është që klientët të mbrohen. Jemi në duart më të mira”, ka thënë Bankman-Fried pas arritjes së marrëveshjes.

Gjithashtu ka vënë në dukje se biznesi i FTX-së në SHBA ishte një kompani e veçantë dhe “aktualisht nuk ndikohet nga kjo”.

Sakaq, lajmi ka shkaktuar valë tronditëse në tregun e aseteve digjitale, me kriptovalutat që ranë ndjeshëm.

Bitcoin ra me më shumë se dhjetë për qind për të arritur nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2020.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore