Shqipëria

Tre shpërthime në Belgjikë, lidhja me bandat shqiptare të drogës


Tre shpërthime në javën që lamë pas tronditën periferinë e Antwerp-it, në Belgjikë.

Deri më tani sulmet kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në rastin e fundit, policia, shërbimi ushtarak belg për asgjësimin e bombave u thirrën në vendngjarje dhe rrugët u mbyllën.

Pajisja shpërthyese, e cila dukej se kishte shënjestruar bodrumin e pronës, raportohet se ishte një pajisje e thjeshtë shpërthyese e improvizuar e bazuar në fishekzjarrë, ose IED në gjuhën ushtarake.

Më herët të njëjtën javë, një ndërtesë apartamentesh në Generaal de Wetstraat, gjithashtu në Borgerhout, u vu në shënjestër për dy net me radhë.

Mediat atje shkruajnë se sulmet mund të lidhen me rivalitetin e bandave.

Antwerp është një qendër kryesore për kontrabandën ndërkombëtare të kokainës.

Kjo është veçanërisht e frikshme për njerëzit e Borgerhout. Ata me të vërtetë kanë filluar të ndihen të pasigurt në shtëpitë e tyre dhe në rrugët e tyre.

Pjesa më e madhe e kokainës që trafikohet përmes Antwerp-it, sipas të dhënave policore, vjen nga Kolumbia.

Megjithatë, shqiptarët besohet se janë ‘lojtarë’ në këtë fushë dhe është e qartë se lufta kundër drogës është ndezur.

Në shkurt të këtij viti, një gangster shqiptar me një pasaportë të falsifikuar britanike u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Antwerp, mes një beteje të përgjakshme për menaxhimin e tregtisë fitimprurëse të drogës në metropolin belg, e cila e ka shndërruar atë në kryeqytetin evropian të kokainës.

Beldar Muça, u qëllua gjashtë herë teksa kthehej në banesën e tij të shtunën në mbrëmje, pak metra larg një stacioni policie, nga dy vrasës.

Muça, një bashkëpunëtor i ngushtë i klaneve më të fuqishme të mafiozëve shqiptare, u qëllua jashtë banesës së tij në periferi të kryeqytetit de facto të Flanders, qendrës së re të luftës së Evropës kundër narkotikëve.

Muça, i cili mendohet se ka jetuar në Londër nga viti 2016 deri në vitin 2020, thuhej se ishte krahu i djathtë i Florenc dhe Adrian Çapja, dy emra të shquar të botës së krimit të Shqipërisë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dokumente të paligjshme identiteti britanike, si dhe dokumente bullgare.

Por vrasja e tij – e fundit në një tendencë në rritje të krimeve të lidhura me drogën në Antwerp – ishte me pak interes për politikanët vendas dhe oficerët e zbatimit të ligjit.

Kjo pasi ata po përballen me një çështje shumë më të madhe, atë kundër mbretërve të kokainës që veprojnë jashtë portit.

Zyrtarët e doganave, të cilët janë në vijën e parë të luftës së Evropës kundër trafikut të drogës, janë në shënjestër të kriminelëve.

Këto të fundit po përdorin çdo metodë për tu fërkuar supet politikanëve.

Bart De Wever, kryebashkiaku i Antwerp-it, pranoi se miliarda euro të ardhura nga droga janë infiltruar në politikën lokale, bizneset legjitime dhe jetën e përditshme të qytetit.

Zyrtarët në portin e Antwerp-it konfiskuan një shifër rekord vitin e kaluar, pothuajse 90 ton kokainë, me vlerë rreth 13 miliardë euro.

Por pavarësisht kësaj sasie, miliarda euro ende përdoren për të “helmuar” nivelet më të larta të shoqërisë.

Sipas tij, kriminelët kishin lëvizur nga frontet tradicionale të përdorura për të pastruar paratë.

Një burim i zbatimit të ligjit shpjegoi se si pronat e paluajtshme të qytetit po bliheshin në sasi të mëdha si pjesë e skemave të pastrimit të parave.

Në dekadën e fundit, konfiskimet vjetore janë rritur nga pesë tonë në pothuajse 90 ton.

Por zyrtarët në terren besojnë se ata po kapin vetëm 10 për qind që përfundimisht dalin në rrugë.

Si rezultat i lidhjeve të tij historike tregtare me Panamanë, Ekuadorin dhe Paraguajin, Antwerp është shfaqur si porta për vërshimin e kokainës në kontinent.

Fuqizimi i mafies shqiptare mund të shihet fare mirë nga mega-operacionet e zhvilluara ndër vite. Në shtator të vitit 2020, operacioni “Los Blancos” goditi klanin më të fortë shqiptar atë të kompanisë Bello.

Europol, Eurojust dhe Policia italiane morën pjesë në hetimin dhe operacionin final. I gjithë hetimi nisi nga një përleshje e dhunshme e ndodhur në vitin 2014 në qendër të Firences.

Dy grupe kriminale me shtetas shqiptarë u përplasën për tregun e prostitucionit. Në këtë moment, Policia konstatoi se disa nga të arrestuarit ishin të përfshirë në trafikun e drogës.

Anëtarët e këtij grupi kishin komunikuar me njëri-tjetrin nëpërmjet telefonave celularë BlackBerry, nga ku Policia zbuloi kokainën që mbërriti nga Ekuadori në portet e Roterdam-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore