Lajme

Tre militantë të lartë të Shtetit Islamik janë vrarë në sulmet amerikane në Siri


Një bastisje e helikopterit amerikan në një fshat të kontrolluar nga qeveria në veri-lindje të Sirisë ka vrarë një militant të Shtetit Islamik që fshihej atje.

Ndërsa një sulm ajror i veçantë amerikan vrau dy të tjerë, njofton ushtria amerikane.

Edhe më parë SHBA-të kanë kryer bastisje në Siri kundër anëtarëve të Shtetit Islamik, por ky i fundit është operacioni i parë i njohur kundër grupit në një zonë të mbajtur nga forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane ka thënë se objektivi ishte Rakkan Wahid al-Shammri, një anëtar i Shtetit Islamik “i njohur për lehtësimin e kontrabandës së armëve dhe luftëtarëve”.

Sakaq, ai u vra gjatë operacionit, ndërsa një nga bashkëpunëtorët e tij u plagos dhe dy të tjerë u arrestuan nga forcat amerikane.

“Asnjë forcë amerikane nuk u plagos apo u vra gjatë operacionit, asnjë civil nuk u vra apo u plagos dhe nuk pati humbje apo dëmtime në pajisjet e SHBA-ve”, ka thënë komanda.

Kjo e fundit është me qendër në Florida dhe mbikëqyr trupat amerikane në Lindjen e Mesme.

Ajo nuk e ka specifikuar vendndodhjen e saktë të bastisjes, duke e përshkruar atë vetëm si afër fshatit Qamishli, i cili ndodhet në kufirin e Sirisë me Turqinë.

Më vonë, Komanda Qendrore tha se një sulm ajror i veçantë i SHBA-ve në orën 18:32 në veri të Sirisë vrau një udhëheqës të Shtetit Islamik, të cilin e quajti Abu-Hashum al-Umawi dhe një anëtar tjetër të lartë të grupit që ishte i lidhur me të.

Sipas një burimi, ai që u vra në sulmin e mëparshëm amerikan ishte përgjegjës për koordinimin e qelizave të fjetura të Shtetit Islamik në zonë.

“Ky operacion synon të zgjerojë fushën e synimit të anëtarëve të kësaj organizate nëpër pjesë të ndryshme të Sirisë”, ka shtuar burimi.

Kurse një burim i dytë ka thënë se forcat amerikane e kishin marrë trupin e tij me vete teksa po tërhiqeshin.

Ndërsa një burim lokal ka treguar se forcat amerikane bastisën gjithashtu një ndërtesë të përdorur nga siguria siriane dhe arrestuan disa njerëz atje.

SHBA-të kryesojnë një koalicion ushtarak që lufton Shtetin Islamik në Siri.

Në korrik, Pentagoni ka zbuluar se vrau xhihadistin kryesor në Siri në një sulm me dron në pjesën veriore të vendit. Komanda Qendrore tha se ai kishte qenë “një nga pesë udhëheqësit kryesorë”.

Sulmi i korrikut erdhi pesë muaj pas një sulmi të natës të SHBA në qytetin Atme, i cili çoi në vdekjen e udhëheqësit Abu Ibrahim al-Qurashi.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ai vdiq kur shpërtheu një bombë për të shmangur kapjen.

Pas humbjes së territorit të tyre të fundit pas një sulmi ushtarak të mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA në mars 2019, të mbeturit në Siri kryesisht u tërhoqën në strehëzat e shkretëtirës.

Prej asaj kohe ata kanë përdorur strehëza të tilla për t’u zënë pritë forcave të udhëhequra nga kurdët dhe trupave qeveritare siriane, ndërsa vazhdojnë të kryejnë sulme në Irak.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore