Shqipëria

Transportonin shtetas egjiptianë drejt Italisë, arrestohen 5 persona


Mëngjesin e 3 tetorit kanë rënë në prangat e policisë Vlorë pesë shtetas pasi  kontrabandonin emigrantë nga vendet e treta drejt Italisë. Ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.

Në vijim të operacionit të koduar “Bristani”, janë arrestuar K. Gj., 38 vjeç, F. B., 36 vjeç – të dy banues në Vlorë, R. H, 44 vjeç, , A. Ll., 31 vjeç – të dy banues në Tiranë dhe një shtetas egjiptian M. Sh., 61 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë transportuar me automjet nga Tirana në qytetin e Vlorës 15 shtetas të huaj (egjiptian). Ata ndiqnin itinerarin në rrugë tokësore deri në qytetin e Orikumit.

Më pas vijonin udhëtimin në këmbë deri në vendin e quajtur “Gjiri i Bristanit”, nga ku dyshohet se do të siguronin kalimin e tyre me mjete lundruese drejt Italisë, kundrejt shpërblimit monetar.

Në kërkim është shpallur shtetasi K. L., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Ky operacion është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në DPPSH-së, Delta Force dhe Guardia di Finanza,

Ndërkohë vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore