Shqipëria

Transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen pesë persona në Elbasan


Mëngjesin e 31 korrikut, kanë rënë në prangat e policisë pesë shtetas shqiptarë që po transportonin emigrantë të paligjshëm, kundrejt dëmshpërblimit.

Shërbimet e Policisë së Elbasanit në bashkëpunim me të Korçës, finalizuan operacioni e koduar “Kalimtarët”.

Përkatësisht u arrestuan në flagrancë shtetasit B.R., 28 vjeç, E.K., 27 vjeç, të dy banues në Devoll, J.D., 28 vjeç, M. Gj., 29 vjeç, dhe N.A., 23 vjeç, të tre banues në Durrës.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin po transportonin dhjetë shtetas të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit.

Ata po ndiqnin itinerarin nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person. Në vijim ata u zunë pritë nga policia në aksin rrugor Librazhd- Elbasan, në fshatin Mengël.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy automjete, pesë aparate celular dhe nje dozë lëndë narkotike kokainë.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore