Shqipëria

Transparency International: Shqipëria rënie me një pikë – kërcënimet e gazetarëve dhe liria e shprehjes në fokus


Organizata gjermane Transparency International (TI) ka publikuar raportin e saj vjetor të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK), ku vërehet se Shqipëria ka rënie me një pikë.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje indeksi nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë se nuk ka aspak korrupsion.

Shqipëria ka pasur një rënie me një pikë krahasuar me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.

Raporti, i cili analizon zhvillimet e vitit të kaluar, thekson lidhjen midis korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Kjo, nga vendet më të korruptuara deri tek ekonomitë më të përparuara.

Lidija Prokiç, këshilltare e Transparency International për Evropën Lindore dhe Juglindore deklaroi për Zërin e Amerikës se “në Ballkanin Perëndimor, ne shohim kryesisht stanjacion, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përçon ndonjë mesazh shpresëdhënës”.

Lidija Prokiç

Sipas raportit, në Shqipëri, gazetarët përballen me padi dhe kërcënime, duke përfshirë kontrollin e tepruar të informacionit në lidhje me masat ndaj COVID-19.

Një pikë tjetër problematike sipas TI-së, janë shqetësimet “për dhunën e policisë gjatë protestave dhe shkeljet e lirisë së tubimit”.

Kjo, gjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Gjithashtu, artikulli vjetor i organizatës ravijëzon se ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që kufizojnë seriozisht lirinë e shprehjes.

Për Prokiç, që mekanizmat kundër korrupsionit të funksionojnë mirë dhe vendet të kenë sukses në luftën kundër korrupsionit, “ato kanë nevojë për media dhe një shoqëri të lirë”.

Për herë të parë, raporti ofroi edhe një analizë krahasuese të gjendjes së korrupsionit në dhjetë vitet e fundit.

Evropa Lindore dhe Azia Qendrore janë të dytat në botë për sa i përket korrupsionit të lartë.

Raporti vjetor zbuloi ndërkaq se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftimin e korrupsionit në 10 vitet e fundit.

Në krye të listës, me nivelin më të ulët të korrupsionit këtë vit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut kanë situatën më të keqe.

“Mund të themi se këtë vit nuk po shohim ndonjë ndryshim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor sa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Dhe unë do të thosha se ky është një lajm i keq, sepse ndërsa vendet bëjnë përparim më të madh ekonomik, politik, social dhe qytetarët ndjejnë efektet e reformave dhe jeta e tyre përmirësohet, ne duhet të shohim rezultate shumë më të mira”, nënvizoi më tej këshilltarja e TI-së.

Prokiç është ndalur dhe tek ato që ajo i quan si “reagime joproporcionale të forcave të rendit” kur bëhet fjalë për protesta publike, protesta të qytetarëve.

Raporti thotë se pandemia u përdor gjithashtu si një justifikim për të reduktuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmës së huaj, duke lejuar që korrupsioni të përhapet gjerësisht.

“Shqetësimi ynë për prokurimet publike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, është fakti që qeveritë kanë përdorur pandeminë Covid si pretekst për të mos dhënë informacion mbi shpenzimet publike”, shtoi më tej këshilltarja.

Ajo bën një krahasim me dhjetë vjet më parë kur rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë.

“Mund të themi se ka pasur shumë pak progres në këtë 10-vjeçar”, sqaroi Prokiç.

Në dekadën e fundit, niveli më i ulët i IPK-së ishte në vitin 2013, ndërsa më i larti në vitin 2016 kur u miratua reforma në drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore