Lajme

Transmetuan protestat, Bjellorusia dënon gazetaret me dy vite burg


Gjykata Bjelloruse dënoi dy gazetarë të kanalit televiziv të lajmeve Belsat me dy vite burg. Autoritetet i arrestuan gazetaret, pasi filmuan në mënyrë të drejtpërdrejtë protestat masive, në vitin 2020, kundër presidentit Alexander Lukashenko.

Katsiaryna Andreyeva, 27 vjeçe dhe Darya Chultsova, 23 vjeçe u arrestuan në apartamentin ku kishin filmuar protestat që po ndodhnin në Bjellorusi, pas vrasjes së një protestuesi.

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë  reaguar pas burgosjes së dy gazetareve.

Si provë materiale, prokuroria kishte paraqitur një kamera video, një mikrofon, disa telefona celularë.

Komiteti i Mbrojtjes së Gazetarëve në New York i ka kërkuar autoriteteve bjelloruse të tërheqin akuzat  “absurde” që rëndojnë ndaj dy gazetareve.

Më shumë se 33 mijë njerëz janë arrestuar gjatë  protestave kundër sundimit të Lukashenkos, pas zgjedhjeve të kontestuara gushtin e vitit të kaluar. Rikujtojmë se kundërshtarët e tij akuzuan  Lukashenko-n se po manipulonte  zgjedhjet  për të qëndruar në pushtet.

Mijëra persona protestuan në Bjellorusi përgjatë disa muajve. Një pjesë e figurave politike të opozitës u largua jashtë vendit, ndërkohë që një pjesë u burgos. Qeveria bjelloruse shtypi protestat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore