Boterori 2022

Trajneri i Marokut: Ne jemi Rocky Balboa i këtij Botërori


Maroku ka shkruar tashmë historinë e Kupës së Botës, pasi asnjë ekip afrikan nuk kishte arritur kurrë në gjysmëfinale përpara skuadrës së Walid Regraguit.

Ata arritën në gjysmëfinale të kompeticionit pasi mposhtën Portugalinë 1-0 të shtunën. Atje ata do të përballen me kampionët në fuqi, Francën, e cila mundi Anglinë 2-1 në të njëjtën ditë.

Në tetë ndeshje nën drejtimin e Regraguit, Maroku ka shënuar pesë fitore dhe tre barazime, pasi ka pranuar vetëm një gol.

“Ne jemi Rocky Balboa i këtij Botërori”, tha Regragui.

“Nuk është një mrekulli, është rezultat i punës së palodhur. Pas Spanjës, ne arritëm të mposhtim edhe një ekip të madh si Portugalia”.

“Kemi dhënë gjithçka, edhe pse kemi ende disa lojtarë të lënduar, por ata që janë duke luajtur kanë luftuar deri në rraskapitje”.

“Ky grup ka një shpirt të madh. Unë u thashë djemve para ndeshjes se ne duhej të shkruanim historinë për Afrikën”.

Goli i vetëm që Maroku ka pësuar nën drejtimin e Regraguit ishte një autogol i shënuar nga qendërmbrojtësi i West Ham, Nayef Aguerd në ndeshjen kundër Kanadasë në fazën e grupeve.

Asnjë lojtar tjetër nuk e ka mposhtur Yassine Bono-n mbresëlënës, me portierin e Sevilla-s duke u bërë portieri i parë afrikan që mban tre ndeshje portën e paprekur në një Kupë Bote.

Ndërkohë, Aguerd ka spikatur në mbrojtje, ndërsa mbrojtësi i krahut të Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi është një nga lojtarët më të mirë të Marokut.

Asnjë ekip nuk ka më shumë largime të topit (137) dhe ndërprerje (52) sesa Maroku.

Foto: Justin Setterfield/Getty Images)

Trajneri maroken nuk e ka fshehur admirimin e tij për stilin e lojës dhe mentalitetin e përgjithshëm të Diego Simeone-s.

“Ne jemi taktikisht të mirë, me një zemër shumë të madhe”, tha Regragui, duke i bërë jehonë një filozofie që Simeone ka paraqitur shpesh.

“Ne nuk lëmë hapësira dhe e dimë se kemi lojtarë teknikë që mund të bëjnë diferencën në çdo lojë, dhe kemi qenë edhe me fat”.

“Me zemër, shpirt, taktika të mira dhe shumë sakrifica e kemi arritur”.

“Unë jam gjithashtu i lumtur për Spanjën, sepse disa njerëz kanë thënë se është një makth të humbasësh kundër Marokut, por ata e kanë parë se nuk është e lehtë të na mposhtim”.

Kundërshtarët kanë regjistruar vetëm nëntë goditje në portën kundër Marokut në këtë turne dhe tifozët e tyre janë të lejuar të konsiderojnë se çdo gjë është e mundur tani e tutje.

“Ne mund të përballemi me çdo ekip në botë”, theksoi Bono.

“Ne prodhojmë mrekulli”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore