Sport

Trajner i ri, avaz i vjetër, Barcelona nuk fiton as me Alaves-in


Barcelona nuk ka arritur të shkoi më shumë se një barazim në shifrat 1-1 përballë Deportivo Alaves-it në “Camp Nou”, në javën e 12 ne La Liga.

Trajneri i ri i përkohshëm i Barcelona-s, Sergi Barjuan, nuk ka sjellë fitore në ndeshjen e parë në krye të ekipit A.

Avantazhi i Barcelona-s zgjati vetëm tre minuta. Memphis Depay shënoi për Barcelona-n në minutën e 49. Ndeshja u barazua në minutën e 52 nga Luis Rioja.

Ndeshja fliste më shumë për Barcelona-n. Zotrimi i topit në secilën nga pjesët e lojës ishte rreth 80%. Në pjesën e parë munguan tentativat drejt portës kundërshtare. Nga tre tentativa dy ishin në kuadrat.

Në pjesën e dytë, Barcelona ishte më kërkuese, por jo efikase para portës. Nga 13 gjuajtje, vetëm tre përfunduan në kuadrat dhe një gol.

Alaves-i ishte tepër cinik me tre gjuajtje në total, në drejtim të portës së mbrojtur nga Marc-Andre ter Stegen-i.  Në pjesën e dytë, nga dy gjuajtje, të dyja ishin në kuadrat dhe një shkoi në rrjet.

Ter Stegen nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Gavi vijoi me paraqitje dinjitoze. Nicolas Gonzalez, talenti tjetër i akademisë së Barcelona-s bëri paraqitje mjaft të mirë në 80 minuta lojë.

Pas 11 javësh të luajtura në La Liga, Barcelona ka 16 pikë dhe renditet në vendin e nëntë me tetë pikë larg kreut. Alaves-i renditet në vendin e 16 me 10 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore