Lajme

Trajkoviç: Vuçiçi pranoi krejt çfarë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë


Rada Trajkoviç

Rada Trajkoviç, këshilltare në Qeverinë e Kosovës nga komuniteti serb, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ka pranuar integritetin territorial e simbolet kombëtare të Kosovës, përfshirë “krejt çfarë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, në një paraqitje televizive të martën.

“Vuçiçi ka pranuar integritetin territorial të Kosovës dhe veçoritë kombëtare të Kosovës… Ai ka pranuar gjithçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, ka deklaruar ajo, duke iu referuar ofensivës së Bashkimit Evropian (BE) për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e raporteve.

Ajo ka thënë se presidenti serb është duke punuar në një dokument që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Serbisë dhe në çdo situatë normale do të duhej t’i mbartë pasojat, derisa ka komentuar edhe draft-statutin “modern dhe evropian” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kërkuar sqarime nga ekspertët ligjorë në Serbi.

“Ku janë ekspertët për të shpjeguar se çfarë po ndodh me Kushtetutën e Serbisë. Ku është Kushtetuta e Serbisë? Nën betimin e Vuçiç, në çfarë mënyrë do ta pranojë kushtetuta Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?”, ka pyetur Trajkoviç, derisa ka shtuar se “instrumenti vetë-menaxhues” për serbët pritet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Emisarët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë prezantuar një “plan të ri” në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizim midis dy vendeve, derisa Kosova dhe Serbia kanë dhënë pëlqimin e tyre dhe kanë pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme.

Vlen të përmendet se udhëheqësit e vendeve më të fuqishme të BE-së – Gjermania, Franca dhe Italia – nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të nisë urgjentisht procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa nga Qeveria e Serbisë kanë kërkuar njohjen de facto të shtetësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore