Lajme

Trajkoviç: Vuçiç fillimisht do t’i njohë dokumentet dhe pasaportat e Kosovës, ndërsa të tjerat pas zgjedhjeve


Rada Trajkovic

Rada Trajkoviç – këshilltare e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç – ka thënë se Bashkimi Evropian po kërkon nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njohjen de facto të Kosovës, sepse, siç theksoi ajo, e ka premtuar kur ka pranuar Marrëveshjen Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars).

“Është e pritshme që pas zgjedhjeve Vuçiç të përmbushë të gjitha obligimet që ka pranuar në Bruksel dhe Ohër, të cilat çojnë në njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Trajkoviç për agjencinë “Beta”.

Politikania serbe nga Kosova, sipas njohurive të saj, Vuçiç “do të shpallë më 11 nëntor në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes në Paris se njeh pasaportat dhe dokumentet e tjera të Kosovës”.

“Vuçiç fillimisht do t’i njohë dokumentet dhe pasaportat e Kosovës dhe do t’ia ‘shes’ publikut serb si një çështje të parëndësishme dhe do të zbatojë dinamikat e tjera nga udhërrëfyesi i Marrëveshjes së Ohrit pas zgjedhjeve, nëse nuk ka ndryshim të qeverisë më 17 dhjetor”, shtoi.

Sipas Trajkoviç-it, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të sjellë në Beograd edhe “një shkop edhe një karotë dhe se në fund do t’i kërkojë Vuçiç-it të përmbushë gjithçka që ka pranuar në periudhën e kaluar”.

“BE-ja nuk po i kërkon Vuçiç-it asgjë që ai nuk e ka premtuar tashmë. Vuçiç me sa duket ka premtuar se do ta pranojë de fakto pavarësinë e Kosovës dhe Albin Kurti ka pranuar të fillojë procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por sipas modelit të shkruar nga ekspertë ndërkombëtarë”, pohoi.

Në vend të kritikave, Von der Leyen me plotë lëvdata për Serbinë – “është një nga vendet më të avancuar në rrugën evropiane”

Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nis procedurën për themelimin e Asociacionit në Kosovë siç është përshkruar në draft-statut [të propozuar nga BE] dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, thuhej aty, teksa shtohet se formalitetet, “nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

“Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, paralajmëruan ata.

Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe Charles Michel

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar.

Në deklaratën e përbashkët, Scholz, Meloni dhe Macron theksuan se i kanë marrë parasysh komentet e dy liderëve, përkatësisht Kurtit dhe Vuçiç-it, për statutin evropian për themelimin e Asociacionit në Kosovë dhe “gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

“Draft-statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.

Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë nënvizuan edhe një herë pritshmëritë që palët: “të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore