Kosova

Trajkoviç: Kurti dhe Vuçiçi janë çift i përsosur


Rada Trajkoviç

Rada Trajkoviç, këshilltare politike në Qeverinë e Kosovës, derisa ka komentuar ngjarjen e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ka konsideruar se kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, janë një “çift i përsosur”, duke akuzuar të dy liderët për përshkallëzimin e situatës.

Në një intervistë për institutin turk që kryen kërkime mbi politikën e jashtme dhe të drejtat e njeriut, ajo ka thënë se situata është përkeqësuar kohën e fundit dhe veprimet e të dyja palëve kanë  ringjalluar, siç ka shtuar ajo, urrejtjen e vjetër etnike në vend që të promovonin pajtimin mes dy popujve përmes dialogut për normalizimin e raporteve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Kurti dhe Vuçiç, në një farë mënyre, janë një çift i përsosur – nëse rezultati juaj i dëshiruar është një kolaps i plotë i diplomacisë. Incidenti i Banjës është kulmi i veprimeve të pamatura në emër të të dyja palëve […] Propaganda dhe jo idetë se si të çohet dialogu përpara dhe interesat e njerëzve realë në lojë këtu – serbëve të Kosovës – po anashkalohen”, ka theksuar Trajkoviçi.

“Ne jemi të mbërthyer në një lojë egoje të dy liderëve me ideologji problematike dhe kam frikë se kjo do të rezultojë në destabilizimin e mëtejshëm dhe vendimin e shumë serbëve të Kosovës për t’u larguar përgjithmonë nga Kosova. Ndonjëherë mendoj se edhe Kurti edhe Vuçiç do ta mirëprisnin këtë rezultat”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Në linjë me ngritjen e tensioneve, ajo ka vlerësuar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mbetet e vetmja zgjidhje praktike dhe urgjentisht e nevojshme për të përmbushur “kërkesat ekzitenciale” të komunitetit serb në Kosovë, por siç ka konsideruar ajo, ky mekanizëm mbetet e vetmja zgjidhje edhe për përmbushjen e kërkesave institucionale të Qeverisë së Kosovës.

“Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar këtu po merret me negociatorë të pasinqertë, të cilët kanë axhendat e tyre politike paralele. Ata të dy e kanë pranuar Marrëveshjen e Ohrit, pse jemi sot në këtë situatë? Projekti për daljen nga kjo krizë është atje – pra pse nuk po përfitojmë prej tij? Në vend të kësaj, ne po përfshihemi në diskutime pothuajse akademike për pika të parëndësishme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore