Lajme

Tonga: Hiri i vullkanit, rrezik toksik


Një grup shkencëtarësh kanë deklaruar se hiri, që ka mbetur pas shpërthimit të vullkanit nënujor në Ishullin Tonga të Paqësorit, mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme toksike për shëndetin dhe mjedisin.

Ishulli u godit nga cunami, pasi vullkani nënujor shpërtheu të shtunën e 15 janarit, duke dërguar valë gjigante që përplaseshin përgjatë bregut.

Fillimisht u raportua se nuk dihej shkalla e dëmit, pasi komunikimet në ishull mbetën të ndërprera, por më pas u bë e ditur se tre persona humbën jetën.

Sipas grupit të shkencëtarëve, në këtë zonë ka rrezik të kontaminimit të ujit të pijshëm nga sasi të mëdha substancash, të cilat mund të jenë edhe vdekjeprurëse për banorët.

Një grup shkencëtarësh nga Universiteti Cornell deklaroi se edhe toka përreth është kontaminuar, çka mund të rrezikojë sektorin e bujqësisë.

“Studimet e mëparshme në Hunga, Tonga-Hunga kanë treguar se hiri mbart disa nga ngarkesat më të larta të kripërave të regjistruara ndonjëherë, të cilat mund të përmbajnë substanca shumë toksike si: squfur, klor dhe flor”, deklaroi bashkëpunëtori kërkimor në projektin e NASA-s, Adrian Hornby.

Sipas tij, “prania e ujit të detit në një shpërthim vullkanik mund të krijojë elemente toksike në formën e hirit”.

Edhe pedagogia e Inxhinierisë dhe udhëheqëse në projektin e NASA-s, Natalie Mahowald, u shpreh e shqetësuar, pasi “shpërthimet e mëparshme kanë prodhuar hi të pasur me hekur, të cilat kur prekin tokën, mund të shkaktojë dëme të mëdha ekologjike”.

Nga ana tjetër, ushtria e Zelandës së Re ka treguar se po monitoron situatën dhe se mbetet në gatishmëri për të ndihmuar nëse nevojitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore