Lajme

Cunami godet Tonga-n pas një shpërthimi vullkanik nënujor


Ishulli Tonga i Paqësorit është goditur nga cunami, pasi vullkani nënujor i shpërthyer të shtunën e 15 janarit ka dërguar valë të mëdha që përplasen përgjatë bregut.

Rrjeti “Al Jazeera” tregon se deri më tani nuk ka raportime për të lënduar apo për shkallën e dëmit. Kjo pasi komunikimet në ishull mbetën të ndërprera.

Ndërkohë, në mediat sociale kanë qarkulluar pamje nga valët e mëdha që dynden në zonat bregdetare, duke u rrotulluar rreth shtëpive dhe ndërtesave.

Shërbimet Meteorologjike të Tonga-s kanë bërë me dije se paralajmërimi për cunami është në fuqi për të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, ushtria e Zelandës së Re ka treguar se po monitoron situatën dhe se mbetet në gatishmëri për të ndihmuar nëse nevojitet.

Kurse një kolonë e trupave policore dhe ushtarake ka evakuuar Mbretin Tupou VI nga pallati i tij pranë bregut. Ai ka qenë në mesin e shumë banorëve që u nisën për në tokë më të lartë.

Shpërthimi i fundit i vullkanit Hunga Tonga-Hunga Ha’apai ka ardhur vetëm disa orë pasi u hoq paralajmërimi për cunami të premten.

Shkencëtarët raportohet se kanë vëzhguar shpërthime masive, bubullima dhe vetëtima pranë vullkanit pasi ai filloi të shpërthejë herët të premten.

Ndërkaq, imazhet satelitore kanë treguar një shtëllungë hiri, avulli dhe gazi prej pesë kilometrash të gjerë që ngrihej në ajër në rreth 20 kilometra.

Më shumë se 2 mijë e 300 kilometra larg në Zelandën e Re, zyrtarët kanë paralajmëruar për valë stuhie nga shpërthimi.

Agjencia e menaxhimit të emergjencave të Zelandës së Re ka këshilluar  për aktivitetin e cunamit për brigjet e saj veriore dhe lindore me zonat që pritet të përjetojnë rryma të forta dhe të pazakonta dhe valë të paparashikueshme në breg.

Sipas emergjencave, disa pjesë të Zelandës së Re mund të presin “rryma të forta dhe të pazakonta dhe valë të paparashikueshme në breg pas një shpërthimi të madh vullkanik”.

Vullkani ndodhet afro 64 kilometra në veri të kryeqytetit Nuku’alofa.

Në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, një seri shpërthimesh në zonë kanë krijuar një ishull të vogël të ri dhe kanë ndërprerë udhëtimin ndërkombëtar ajror në arkipelagun e Paqësorit për disa ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore