Lajme

Cunami Tonga: Hiri në pistë pengon përpjekjet e ndihmave


Përpjekjet për të dërguar ndihma në Tonga, janë penguar për shkak të hirit që ka mbuluar pistën, nga shpërthimi i vullkanit dhe cunamit të shtunën e 15 janarit.

Zelanda e Re po përpiqet të dërgojë ujë të pijshëm të pastër dhe furnizime të tjera, por avionët nuk mund të ulen në aeroportin kryesor.

Disa nga ishujt e vegjël periferikë të Tonga-s kanë pësuar dëme të konsiderueshme, thonë agjencitë e ndihmës.

Dy persona janë raportuar të vdekur, por me komunikimin e kufizuar ekziston frika se numri i vërtetë mund të jetë më i lartë.

Një vullkan nënujor shpërtheu të shtunën, duke mbushur Tonga-n me hi dhe duke shkaktuar një cunami.

Tonga përbëhet nga më shumë se 170 ishuj të shpërndarë në një zonë të Paqësorit Jugor, afërsisht me madhësinë e Japonisë. Më shumë se 100 mijë njerëz jetojnë në Tonga, pjesa më e madhe e tyre në ishullin kryesor të Tongatapu.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) raportoi dëme të mëdha në plazhet perëndimore të Tongatapu.

Në kryeqytetin Nukuʻalofa, Komisioni i Lartë i Zelandës së Re tha se përveç bregdetit, zona është kryesisht e padëmtuar.

Megjithatë, ka shqetësime për grupin e ishujve Ha’apai, i cili shtrihet në veri të Tongatapu.

Fluturimet e vëzhgimit treguan një fshat të tërë të shkatërruar në një ishull dhe ndërtesa të rrafshuara në një tjetër.

Zëvendës shefi i misionit të Tonga-s në Australi, Curtis Tu’ihalangingie, i tha Reuters se fotot ishin “alarmante”.

“Ndoshta do të ketë më shumë vdekje dhe ne vetëm lutemi që të mos jetë kështu”, tha ai.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore