Shqipëria

Tiranë: Transportonte emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim i riu nga Kosova


Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një shtetas kosovar pasi po transportonte katër emigrant të paligjshëm me qëllim kalimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Konkretisht shtetasi P. G., 22 vjeç, banues në Kosovë, pas shenjës për ndalim nga punonjësit e Policisë, në rrugën dytësore Vorë-Fushë Krujë, nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe është larguar me shpejtësi me mjetin tip “Audi”.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit, të cilin më pas e kanë gjetur të braktisur në Fushë Krujë.

Në këtë mjet ishin pasagjerë katër emigrantë që dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin tonë. Atyyre iu kishte premtuar, kundrejt shpërblimit monetar, transportimin nga Tirana drejt Kosovës, me automjetin “Audi”. Ky mjet rezultonte i marrë me qira në Kosovë.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht katër emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore