Lajme

T’i përngjash vajzës së Instagram-it, të ndryshosh veten


Po qëndron para pasqyrës. Po sheh me vetullat ngrysur shëmbëllimin. S’po i pëlqen.

Mbase nuk i përngjan me tiparet e asaj, vajzës së kudogjendur të Instagram-it.

Se nuk i ka buzët të fryra mjaftueshëm, mollëzat e ngritura, hundën pa valëzime e madhësinë e veshëve jo në proporcion.

Teksa paralelizon të vetat me të tjetrës, mimika i shprishet, hijeshia i venitet.

Harron se sytë i shndrisin sa dielli dhe se buzëqeshja e plotëson qenien e saj aq bukur, aq pastër.

Nuk e bind as vetja.

Ashtu në mërzi, e lë shëmbëllimin e saj për t’i ngjarë dikujt tjetër, të shpeshtës dhe jo të rrallës.

Të jetë vallë kaq “këmbëngulës” Instagram-i?

Për psikologen Elona Braçja, “po”.

Ajo ka treguar për Albanian Post se ndikimi i mediave sociale, përmes ekspozimit të së bukurës, është relativisht i madh.

“Efekti i mediave sociale në aftësinë për të bashkëvepruar dhe për t’u modeluar është shumë i dukshëm në të gjitha fushat e shoqërisë, sidomos në atë të ekspozimit ndaj të bukurës”, ka thënë ajo.

Prandaj dhe, ngado, kirurgjia plastika ka siguruar një përhapje të gjerë, të konsiderueshme.

Këtu ndjehet edhe nevoja për t’u marrë me të më në thellësi.

“Duke qenë se e bukura është e larmishme dhe në vende të ndryshme perceptohet në mënyra të ndryshme, ajo nuk duhet anashkaluar, duhet trajtuar”, veçon Braçja.

Ngjashëm, sipas saj, duhet të trajtohet edhe aspekti i pamjes së jashtme. Ideja që duhet ta duam veten, ta pranojmë atë edhe kur një tipar i caktuar nuk është në harmoni me fytyrën apo trupin.

Sepse fundja imazhet e mediave sociale janë pjesë e çdo dite.

“Duke marrë parasysh që jemi gjeneratë e teknologjisë dhe internetit mund të thuhet se mediat sociale janë pjesë e përditshmërisë tonë induktive”, thotë psikologia.

Dhe se vetë përcaktimi i mediave sociale, si realitet virtual, e shpjegon impaktin e të njëjtave në përditshmëri, atë të ngjashmërisë.

Mirëpo, kjo sjell me vete edhe dëme.

Për psikologen Braçja, e keqja është mania ndaj këtyre rrjeteve që, mbase ndonjëherë, shkakton edhe problematika.

“Veçanërisht te vajzat, për sa i përket estetikës, operacioneve plastike. Bëjnë që të jetohet vetëm jeta virtuale, duke mos e lejuar atë realen të depërtojë”, dallon ajo.

Pse kirurgji?

Arsyet se pse njerëzit kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme që të përmirësojnë pamjet e tyre të jashtme janë nga më të shumtat.

Nga ana tjetër, kjo “përkthehet në një rritje të vetëbesimit për shumicën e pacienteve”.

“Çka do të thotë se ka një gatishmëri të madhe për të provuar gjëra të reja ose për të qenë më ekstrovert në jetën shoqërore, gatishmëri për të veshur lloje të caktuara veshjesh për shembull”, tregon ajo.

Po ashtu, një gatishmëri për të marrë pjesë në aktivitete që më parë janë shmangur për shkak te kompleksit që mund të ketë qenë i pranishëm për shkak të një defekti në pamjen e jashtme.

“Përmirësimi i shëndetit mendor është gjithashtu një faktor që fitohet pas kirurgjisë estetike, kryesisht te vajzat, të cilat e dëshirojnë veten të pranuar në shoqëri”, sqaron Braçja.

Ka efekte pozitive emocionale, për t’u siguruar, por shumica e njerëzve “kanë tendencë të harrojnë për degëzimet e mundshme psikologjike”.

Madje, fenomeni i depresionit post-op është i prirë të ndodhë me efekte anësore.

“Incidenca e depresionit post-kirurgjikal është shumë më e lartë se shumica e njerëzve që kuptojnë rreziqet dhe komplikimet e operacionit”, ravijëzon ajo.

Në krahun tjetër, gjenden një sërë “të fshehtash psikologjike” që çojnë drejt operacioneve plastike.

“Kompleksi obsesiv çon drejt operacioneve plastike. Pasiguritë që ekzistojnë brenda individit prej pamjes së jashtme janë simptoma të problemeve të fshehura psikologjike, si depresioni”, zbulon psikologia.

Për të, kur flitet për një pjesë të pamjes së jashtme që shkon në ekstrem, arrihen forma patologjike, ku ka diagnoza psikiatrike.

Njëra prej tyre quhet çrregullimi dismorfik trupor.

“Ndaj nevojitet një kujdes i veçantë, si t’i definohemi realitetit e të mos krijojmë varësi ndaj përngjasimit mediatik”, thekson Braçja.

Sipas saj, është tejet me rëndësi “të mësojmë të ndërtojmë jetën ashtu siç duhet dhe jo duke u bazuar te media apo rrjetet e ndryshme sociale”.

Duke e përmbyllur idenë e saj se “jeta është më e bukur se një foto dhe shpesh një foto e bukur nuk ka asnjë lidhje me realitetin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore