Shqipëria

Thomas-Greenfield: Shqipëria, ky vend i vogël që mban shumë peshë në Këshillin e Sigurimit


Për ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, Shqipëria me të vërtetë mund të jetë një vend i vogël ballkanik, por peshën në Këshillin e Sigurimit e ka të madhe, ndoshta edhe sa vetë SHBA-të.

Kështu ka deklaruar diplomatja e lartë amerikane gjatë një interviste për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.

“Nuk mund të isha më e lumtur me ambasadorin tuaj dhe me vendin tuaj”, shpjegoi Greenfield, e pyetur për rolin e Shqipërisë. “Ne kemi një partneritet shumë të fortë kur punojmë për çështjet, si fjala bie Ukraina apo sulmi i fundit kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë. Është një partneritet shumë i fortë”.

Në fjalët e ambasadorit Hoxha, duke plotësuar ambasadoren Thomas-Greenfield, fakti që Shqipëria dhe SHBA-të janë bashkëpenëmbajtëse të kauzës së Ukrainës në KS, është një privilegj më vete, pasi i jep Tiranës mundësinë të jetë propozuese e projekt-rezolutave apo të thërrasë mbledhjet e para mbi këto çështje.

Vetë diplomatja amerikane, e përforcoi këtë fakt, duke shtuar se “zëri i Tiranës, është edhe zëri i Washington-it” dhe se të dy vendet, kanë të njëjtën fuqi në Këshill.

Ndaj, mbi këtë premisë, ajo tha se pavarësisht sa i vogël mund të jetë një vend, vota, mes të 15-ëve, është e barabartë.

Pikërisht lufta në Ukrainë është edhe një ndër pikat që më së shumti i lidh dy vendet sot.

Për Thomas-Greenfield, e vetmja rrugë për të dalë nga lufta, është tërheqja tërësore e Rusisë nga territori. Vetëm kështu, luftës mund t’i jepet fund sipas saj.

Nga ana tjetër, ambasadori Hoxha u pyet se pse Rusia po ndjek një retorikë denigruese ndaj Shqipërisë, por diplomati i lartë shqiptar mendon se nuk ka të bërë direkt me Shqipërinë, sa ka të bëjë me faktin se Rusia ka probleme me gjithë botën.

“Me ne, sepse jemi anëtarë në Këshillin e Sigurimit”, shpjegon Hoxha. “Jemi të vetmit nga rajoni i Evropës Lindore, përtej Rusisë vetë që është anëtare e përhershme, që bëjmë pjesë në Këshill”.

Ndaj, mbi këtë gjë, Shqipëria shfaqet si i vetmi zë rajonal në sferën e lartë të diplomacisë, që mund të flasë për çështjen e Rusisë.

Hoxha më tej, përkundër kësaj, shtoi se problemin, Shqipëria nuk e ka me popullin rus, por me Qeverinë ruse.

Mbi zhvillimet e fundit në Kosovë ndërkohë, Thomas-Greenfield theksoi se stabiliteti rajonal, është mbështetur gjithnjë nga SHBA-të dhe kështu do të vijojë të mbështetet.

Ndaj, një marrëveshje përfundimtare mes palëve, është një marrëveshje që e pranojnë të dyja palët dhe asnjë më shumë.

Megjithatë, edhe pas 23 vjetësh, është problem kjo gjë.

“Ne nuk kemi hequr dorë. As Kosova e Serbia nuk duhet të heqin dorë nga marrëveshja”, tha ajo.

Ndërsa, për ambasadorin Hoxha, targat në këtë çështje, nuk kanë asnjë pikë rëndësie.

Marrëveshja, është e vetmja gjë që bën sens për t’u arritur mes palëve. Asgjë më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore