Muzikë

The Weeknd lë overdozat, shkon nga Karma


Ai njihet për këngët e tija me tekste në kufijtë e depresionit, me metafora të stilizuara mbi overdozat dhe përdorimin e drogave të forta, por këtë herë duket se The Weeknd vërtetë ka lënë pas dhjetë vitet e shkuara muzikore, duke sjellë në treg diçka të re.

I tillë është bashkëpunimi i tij i fundit me treshen Swedish House Mafia, e cila u rikthye në skenë pas shumë kohësh në MTV VMA-s dhe e paralajmëroi bashkëpunimin me këngëtarin kanadez Abel Tesfay, i njohur në art si The Weeknd.

“Moth to a flame” është edhe projekti i akullt midis artistëve.

The Weeknd në videoklipin e “Moth to a Flame”

Me një videoklip tepër erotik dhe shqetësues në disa pamje që duken sikur kanë dalë nga një botë e Alien vs Predator, The Weeknd duket sikur mban lidhur pas vetes me anë të disa fijeve, humanë të cilët janë vazhdimisht në një akt çiftimi dhe tërheqjeje ndaj njëri-tjetrit.

Por, nuk është kështu The Weeknd. Në fjalët e tekstit, ai qartësisht ka lënë gjithçka prapa. Madje, pavarësisht dashurisë, ai është i gatshëm ta lërë personin – potencialisht Bella Hadid – të jetojë me dikë tjetër, më të mirë për të.

Përtej këtij fakti, ai pyetjen vijon e shton për gjysmën tjetër, nëse personi që ka në krah, e di për kë ajo mendon.

Karma jo si hakmarrje e mirëfilltë, por e servirur shumë e ftohtë, dëgjohet jo vetëm në fjalët e kanadezit, por edhe në melodinë e suedezëve.

Swedish House Mafia njihen për vijën e tyre të rëndë elektronike në publikime. Ata nuk kanë zhgënjyer as këtë herë.

Ndërsa The Weeknd, i cili pritet të publikojë së shpejti edhe albumin e tij të ri “The Dawn” (Agimi), jo vetëm dashurinë, por edhe pandeminë, duket se e ka lënë pas.

Prezantimi i turit “After Hours til Dawn”

Sytë e tij, janë tashmë për nga vera 2022, ku ai do të nisë edhe turin e shumëpritur global, të ridimensionuar si “After Hours til Dawn”, i cili do të bashkojë të dy albumet e fundit të yllit botëror të R&B.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore