Kosova

“The Guardian”: Serbia shtet i kapur e problematik – instinktet politike të Vuçiçit janë farkëtuar në epokën e Millosheviçit


Ilustrim

Në një editorial të prestigjozes britanike “The Guardian” kushtuar Serbisë dhe ciklit të fundit zgjedhor, thuhet se Serbia është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit, derisa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, vazhdon dominimin mbi skenën politike serbe, instinktet e të cilit janë farkëtuar në epokën e ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç.

Serbia është vlerësuar nga gazeta si shtet i kapur e tejet problematik, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Evropian (BE). Në editorialin e prestigjozes britanike thuhet se shkelja e normave demokratike dhe sundimit të ligjit në Serbi janë përshpejtuar gradualisht prejse Partia Progresive Serbe (SNS) ka ardhur në pushtet.

“Vuçiç, një nacionalist autokratik, instinktet politike të së cilit janë farkëtuar në epokën e Millosheviçit, përdor gjithashtu fuqinë dhe ndikimin për të nxitur mosmarrëveshje në Ballkanin Perëndimor, ku fushatat ndarëse etnike serbe mbështeten nga Beogradi”, thuhet në editorialin e “The Guardian”.

Aty ndër të tjera përmenden edhe përpjekjet e bashkësisë së organizuar perëndimore për të mos e lejuar Serbinë të shtyhet drejt krahëve të Rusisë për shkak të konsideratave gjeopolitike, ndërsa ambicia për ta tërhequr Serbinë brenda orbitës së BE-së dhe larg ndikimit rus, ka zbutur kritikat e bashkësisisë së organizuar perëndimore në shkallë kompromisi.

Megjithatë, kjo qasje e butë mund të përfundojë shpejt, ka paralajmëruar e përditshmja britanike, posaçërisht pas shpërthimit të protestave masive të opozitës në Serbi nga vera e vitit të kaluar dhe kulmimit të tyre pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave, gjatë procesit zgjedhor.

“Kërcënimet për rinisje të luftërave në rajon pritet të përcillen me gjuhë më të ashpër nga Brukseli e Washingtoni. Vuçiç në nëntor ka parashikuar se viti 2024 do të sjellë ‘shumë më shumë konflikte dhe trazira’ në Kosovë dhe Republikën Sërpska – etniteti serb në Bosnje-Hercegovinë”, thuhet aty.

Shpresa se e ardhmja drejt BE-së mund ta bindë Serbinë t’u përmbahet normat demokratike dhe të përmbahet nga minimi i shteteve fqinje, sipas mediumit, kanë rezultuar të pabaza. Por qëllimi strategjik i izolimit të Rusisë – po ashtu i papërmbushur – nënkupton se perëndimi vazhdon t’i japë shumë hapësirë Vuçiçit që ta ndjekë agjendën autoritare e nacionaliste.

Perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga perëndimi, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore