Lajme

The Guardian: Kosovarët e tronditur, shesin me çmime të lira pajisjet e kriptovalutave


Mediumi britanik, The Guardian, i ka kushtuar një artikull të veçantë situatës me Bitcoin në Kosovë, ndërsa e ka ekspozuar dukurinë e zhvilluar duke thënë se ka qenë një jave e mirë për krijim ose minim të kriptomonedhave.

“Për entuziastët e bitcoin-it në Kosovë me një qëndrim të ftohtë ndaj rrezikut, ka qenë një javë e mirë për të arritur një marrëveshje për pajisjet kompjuterike që mund të krijojnë, ose të minojnë kriptomonedhën”, shkruan, The Guardian,

“Nga Facebook në Telegram, postimet e reja në grupet e kripto-kriptove online të rajonit u dominuan nga kosovarët e tronditur që përpiqeshin të shesin pajisjet e tyre, shpesh me çmime të ulëta”, thuhet tutje në artikull.

E përditshmja britanike e ka quajtur Kosovën si një “nga vendet e varfra të Evropës”, ndërsa ka ripërsëritur vendimin e qeverisë për ndalimin e përkohshëm të kriptovalutave në Kosovë.

“Veprimi i furishëm i mediave sociale pason një njoftim në fund të vitit nga qeveria e Kosovës për një ndalim të menjëhershëm, megjithëse të përkohshëm, të të gjitha aktiviteteve të minierave të kriptove, si pjesë e masave emergjente për të lehtësuar një krizë të dëmshme energjetike”, shkruan mediumi britanik.

“Nxitja për të hyrë në Kosovë, një nga vendet më të varfra të Evropës, është e qartë. Kriptomonedha aktualisht tregtohet me më shumë se 31,500 £ për bitcoin, ndërsa Kosova ka çmimet më të lira të energjisë në Evropë pjesërisht për shkak të më shumë se 90% të prodhimit vendas të energjisë që vjen nga djegia e rezervave të pasura të vendit të linjitit, një qymyr me cilësi të ulët”, thuhet tutje në artikull.

Sipas, The Guardian, dukuria e kriptovalutave po gjen zhvillim të hovshëm në veri të Republikës së Kosovës ku edhe theksohet se ajo pjesë e vendit e populluar me shumicë serbe, nuk e paguan energjinë elektrike për më shumë se 20 vjet.

“Minierat më të mëdha të kriptove mendohet se po ndodhin në veri të vendit, ku popullsia me shumicë serbe refuzon ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe rrjedhimisht nuk ka paguar energjinë elektrike për më shumë se dy dekada”, shkruan The Guardian.

E përditshmja britanike ka shkruar edhe për reduktimet me energji elektrike brenda territorit të Kosovës – të cilat u pasuan me protesta paqësore nga popullësia civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore