Lajme

Teste false për coronavirus, Policia mbyll një laboratorë në Ferizaj


Ilustrim

Dyshimet se në disa laboratorë po bëhen teste false për coronavirus, e kanë vënë Policinë e Kosovës në aksion.

Uniforma blu e shtetit ka realizuar një aksion në katër lokacione të laboratorëve në Ferizaj, pas informacioneve se në to po falsifikohen testimet për coronavirus.

Policia njofton se ka ndaluar një 40 vjeçar, teksa ka mbyllur një laborator.

“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, mbi bazën e disa informacioneve që ka pranuar, se në disa laboratorë mikrobiologjik në Ferizaj janë duke u lëshuar teste PCR SARS COV-19 në mënyrë të falsifikuar dhe kundërligjorë, sot rreth orës 10:40 në Ferizaj ka zhvilluar një operacion të përbashkët edhe me Inspektoratin Shëndetësorë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë këtij operacioni, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj janë kontrolluar dhe legjitimuar 4 lokacione të laboratorëve në Ferizaj dhe në njërin prej tyre ka rezultuar se, përveç disa shkeljeve që është konstatuar, Inspektorati Shëndetësorë ka vërtetuar se një nga testet PCR SARS COV-19 që është lëshuar, rezulton të jetë i falsifikuar dhe ky laborator është mbyllur për kohë të pacaktuar”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se Sektori Rajonal i Hetimeve ka identifikuar personin qe ka lëshuar këtë test, me inicialet K.XH ( M/K) i moshës 40 vjeçar që ishte punëtorë i kësaj poliklinike dhe të njëjtin e ka shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj.

Me vendim të Prokurorit ndaj tij është iniciuar rast penal “Rastet e Posaçme te falsifikimit të dokumentit” për procedura të mëtejme hetimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore